2009-06-20 20:07:37

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së XII gjatë vitit kishtar,“B”


(20.6.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë (B), sipas kalendarit liturgjik.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj të diele të 12-të gjatë vitit kishtar është pushteti hyjnor mbi natyrën e mbi të keqën. Kjo e dielë na paraqet Krishtin që sundon detin me valët (dallgët) të stuhishme e siguron mbrojtjen e apostujve e të të gjithëve njerëzve nga e keqja. Po që kjo të realizohet në jetën tonë, lypet të kemi besim në Të e t’i qëndrojmë besnik mësimit të Tij për të qenë të lirë prej çdo të keqe dhe frike e stuhie të jetës.
Pra, pas kohës kishtare të Kreshmëve e të Pashkëve, gjatë së cilës u ndërpre leximi i vazhdueshëm i Ungjillit të Markut, me këtë diele i kthehemi përsëri shpalosjes së Ungjillit të dytë sipas Markut e përmes tij vazhdojmë të njihemi me jetën, veprat e mësimet e Krishtit Shpëtimtar.
Pjesa ungjillore e kësaj së diele na tregon për mrekullinë e stuhisë së detit të shuar e të qetësuar nga Jezusi, që ishte në barkë me apostujt e tij, të cilët u frikuan për së tepërmi nga tërbimi i valëve të detit. Apostujt në çastin e tërbimit të valëve, e përjetuan fuqinë hyjnore të Jezu Krishtit mbi detin e stuhishëm. Kështu Ungjilli i kësaj së diele na fton të zbulojmë edhe në çaste të vështira, të tmerrshme e çrregulluese të historisë, praninë e Zotit i cili mund t’i shndërrojë errësirat në një projekt drite. E keqja ekziston, është diçka reale që përjetojmë çdo ditë, në mënyrë dramatike në stuhitë e jetës, por është edhe rast i madh për t’i drejtuar thirrjen tonë Zotit duke vijuar luftimin e së keqës me fe në Hyjin: “Pse jeni kaq frikacakë? Po a ende nuk besoni?”
Varfëria e fesë, varfëria e besimit në Zotin e bënë të pakuptueshme të keqën e më tragjike mbijetesën.
Leximi i parë i kësaj së diele nga libri i Jobit, rrëfen po të njëjten fuqi Hyjnore të cilën edhe Jobi e ka njohur në YHWH (Jahven) Zotin. Hyji është i vetmi që sundon dhe mposht fuqitë e kaosit të parë të krijimit, i vetmi që sundon mbi forcat kozmike. Jobi i drejtë në dëshpërimin e vuajtjes i lutët Hyjit, kërkon përgjigje nga Zoti. Po ai merr vetëm një heshtje të tmerrshme e tronditëse. E vetëm kur i këputur, zemërplasur hesht, më në fund i dëgjon fjalët e Zotit. E njeh dhe kupton se si Ai, Zoti, sundon mbi të keqën. “Këtu le të thehen valët tua krenare!” thotë Zoti. E përgjigja që Zoti i jep Jobit na bënë tč kuptojmë se të mbështetësh në Hyjin e Atij t’i besosh është garanci kundër çfarëdo frike. Po më tepër do të dëgjojmë në leximin e parë biblik të kësaj së diele. (Jb 38,1.8-11).
Shën Pali, në leximin e dytë të kësaj së diele marr nga letra e tij e dytë drejtuar Korintianëve, flet për të rejat e jetës që Krishti ka sjell me vdekjen e ngjalljen e tij dhe na fton lirohemi nga egoizmi ynë e ti trajtojmë njerëzit në mënyrë pozitive, njerëzore, kristiane. Leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar janë nga: Jb 38,1.8-11; Kor 5,14-17; Mk 4,35-41.







All the contents on this site are copyrighted ©.