2009-06-20 16:05:49

Homelia e Benediktit XVI në kremtimin për hapjen e Vitit Meshtarak (tekst i plotë).


(20.06.2009 RV)Të dashur vëllezër e motra,
Në antifonën para Magnificat, pas pak do të këndojmë “Zoti na pranoi në zemrën e vet - Suscepit nos Dominus in sinum et cor suum”. Në Besëlidhjen e Vjetër flitet 26 herë për zemrën e Zotit, që shikohet si organ i vullnetit të tij: njeriu gjykohet sipas zemrës së Zotit. Nga shkaku i dhimbjes që ndjen zemra e tij për mëkatet e njeriut, Zoti vendos ta përmbytë botën, por pastaj preket përballë ligështisë njerëzore e fal. Është, pastaj, një fragment nga Besëlidhja e Vjetër, në të cilin tema e zemrës së Zotit shprehet në një mënyrë tejet të qartë: gjindet në Kapitullin e 11-të të librit të Ozesë profet, ku versetet e para përshkruajnë përmasat e dashurisë me të cilën Zoti i drejtohet Izraelit në ag të historisë së tij: “Kur Izraeli ishte ende djalë, unë e doja, e prej Egjiptit e thirra birin tim”(v1). “Por sa më shumë i thërrisja, aq më tepër largoheshin prej meje”.(v2). Gjithsesi Ai nuk e lëshon kurrë Izraelin në dorë të armiqve, sepse “Zemra ime në mua përmallohet, më dridhet zemra nga dhëmbshuria”(v 8).

 
Zemra e Zotit dridhet nga dhëmbshuria! Në solemnitetin e sotëm të Zemrës së Krishtit, Kisha na fton ta kundrojmë këtë mister, misterin e Zemrës së një Zoti, që preket e resh gjithë dashurinë e tij mbi njerëzimin. Një dashuri misterioze e cila, në tekstet e Besëlidhjes së Re, na zbulohet si afsh i Hyjit për njeriun. Ai nuk epet përballë mosmirënjohjes e as përballë mohimit të popullit të tij të zgjedhur; përkundrazi, me mëshirë të pakufishme, dërgon në botë Birin e tij të Vetëm, që të marrë mbi vete fatin e dashurisë së rrënuar e që, duke e mundur pushtetin e së keqes e të vdekjes, t’u dhurojë dinjitetin e bijve, njerëzve të kthyer skllevër për shkak të mëkatit. E gjithë kjo, me një çmim tepër të lartë: Biri i Njëlindur i Atit bëhet kurban mbi kryq: “Pasi i deshi të vetët – ata që ishin në botë – i deshi deri në fund të fundit (cfr Gjn. 13,1). Simbol i kësaj dashurie, që e kapërcen kufirin e vdekjes, është kraharori i tij i shporuar nga heshta. Ai, që e pa me sytë e vet këtë ngjarje, Shën Gjoni Apostull, pohon: “… njëri prej ushtarëve ia shporoi kraharorin me heshtë e menjëherë rrodhi gjak e ujë”. (cfr Gjn. 19,34).

 
Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj që, duke iu përgjigjur ftesës sime, erdhët me shumicë në këtë kremtim, me të cilin hyjmë në Vitin Meshtarak. Përshëndes Zotërinjtë Kardinaj e Ipeshkvij, në mënyrë të posaçme Kardinalin Prefekt dhe Sekretar të Kongregatës për Klerin me bashkëpunëtorët e tyre si dhe ipeshkvin e Arsit. Përshëndes meshtarët e seminaristët e seminareve e të kolegjeve të ndryshme të Romës; rregulltarët e rregulltaret e të gjithë besimtarët. Një përshëndetje të veçantë i drejtoj Fortlumturisë së Tij Injac Jusef Junan, Patrik i Antiokisë së Sirëve, që erdhi në Romë për të më takuar e për të shprehur publikisht “ecclesia communio”- ‘bashkimin kishtar”, që i kam njohur.

Të dashur vëllezër e motra, të ndalemi së bashku për të kundruar Zemrën e shporuar të të Kryqëzuarit. Dëgjuam edhe një herë, pak më parë, në leximin e shkurtër të marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve, se “Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na bëri të rijetojmë bashkë me Krishtin… dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na bëri të rrimë në qiell, në Krishtin Jezus” (Ef. 2,4-6). Në zemrën e Krishtit shprehet thelbi i krishtërimit; në Krishtin na u dëftua e na u dhurua gjithë risia revolucionare e Ungjillit: dashuria, që na shpëton e na bën të jetojmë tashmë në amshimin e Hyjit. Shkruan Shën Gjoni ungjilltar: “Vërtetë, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të Vetmin Birin e vet, kështuqë secili që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur” (3,16). Zemra e tij hyjnore e thërret atëherë zemrën tonë; na fton të dalim nga vetvetja, t’i lëmë mënjanë siguritë tona njerëzore, për t’u lëshuar në duart e Tij e, duke i shkuar për gjurmë, ta bëjmë vetveten dhuratë dashurie pa asnjë kusht.

Në se është e vërtetë që ftesa e Jezusit “për të mbetur në dashurinë e tij (cfr Gjn 15,9) i drejtohet çdo të pagëzuari në festën e Zemrës së Krishtit, Ditë e shenjtërimit meshtarak, kjo ftesë tingëllon më shumë se kurrë për ne, meshtarët, posaçërisht sonte, në fillimin solemn të Vitit Meshtarak, shpallur sipas dëshirës sime, me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së Famullitarit Shenjt të Arsit. Më vjen menjëherë në mend një nga pohimet tij të bukura e prekëse, që citohet edhe në Katekizmin e Kishës Katolike: “Meshtaria është dashuri për Zemrën e Krishtit” (n. 1589). Si mund të mos kujtosh me emocion se drejtpërdrejt nga kjo zemër gurroi dhurata e shërbimit tonë meshtarak? Si mund të harrojmë se ne, meshtarët, u shuguruam për t’i shërbyer, me pëvujtëri e autoritet, meshtarisë së përbashkët të besimtarëve? Misioni ynë, i domosdoshëm për Kishën e për botën, kërkon besnikëri të plotë ndaj Krishtit e bashkim të pandërprerë me Të; kërkon, pra, të ecim vazhdimisht në rrugën e shenjtërisë, ashtu siç bëri Shën Gjoni Vianej. Në Letrën, që ju drejtova për këtë vit të posaçëm jubilar, të dashur vëllezër meshtarë, desha të vë në dukje disa aspekte të posaçme të shërbimit tonë, duke marrë si shembull mësimet e Famullitarit Shenjt të Arsit, model e pajtor për të gjithë meshtarët e, posaçërisht, për famullitarët. Uroj që kjo Letër t’ju ndihmojë e t’ju japë zemër që ta shfrytëzoni këtë vit si kohë të përshtatshme për të thelluar bashkimin me Jezusin, që mbështetet tek ju, shërbëtorët e tij, për ta përhapur e për ta fuqizuar Mbretërinë e vet. E prandaj, ‘ sipas shembullit të Famullitarit Shenjt të Arsit – kështu e përfundoja Letrën time – lëreni Krishtin t’ju pushtojë e bëhuni edhe ju, në botën e sotme, lajmëtarë të shpresës, të pajtimit e të paqes’.

Të pushtohesh plotësisht nga Krishti! Ky ishte qëllimi i gjithë jetës së Shën Palit, të cilin e patëm në qendër të vëmendjes gjatë Vitit kushtuar Apostullit të Popujve, që tashmë po shkon drejt përfundimit; e ky ishte edhe caku i gjithë shërbimit të Famullitarit Shenjt të Arsit, të cilit do t’i lutemi në mënyrë të posaçme gjatë Viti Meshtarak; ky është edhe qëllimi kryesor i secilit prej nesh. Për të qenë misionarë në shërbim të Ungjillit, është sigurisht i nevojshëm studimi i kujdesshëm dhe formimi i vazhdueshëm baritor, por ajo që ka më tepër rëndësi nga të gjitha, është ‘shkenca e dashurisë”, që mësohet vetëm kur rri ’zemër për zemër’ me Krishtin. Është ai, që na thërret të thyejmë bukën e dashurisë së tij, të zgjidhim mëkatet e t’i prijmë grigjës në emër të tij. Pikërisht për këtë arsye nuk duhet të largohemi kurrë nga burimi i dashurisë së tij, që është zemra e tij e shporuar mbi kryq.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje të bashkëpunojmë me fryt në ‘Planin misterioz të Atit”, që kërkon “ta bëjë Krishtin zemër të botës”! Plan i cili realizohet në histori në sa, pak nga pak, Krishti bëhet zemër e zemrave njerëzore, duke nisur nga ata që thirren për të qenë më pranë tij, pikërisht nga meshtarët. Na e kujtojnë këtë impenjim të përhershëm ‘premtimet meshtarake”, që bëmë në ditën e Shugurimit tonë e që i përsërisim çdo vit, të Enjten e Madhe, në Meshën e Bagmit. Edhe mungesat tona, kufizimet tona e ligështitë tona duhet të na çojnë te Zemra e Krishtit. Në se është e vërtetë që mëkatarët, duke e kundruar, duhet të mësojnë prej Tij ‘dhimbjen për mëkatet”, që i rikthen tek Ati, kjo vlen edhe më shumë për shërbëtorët e Kishës. Si mund ta harrojmë se s’ka gjë që e bën të vuajë më shumë Kishën, Korpin e Krishtit, sesa mëkatet e barinjve të saj, posaçërisht të atyre që kthehen në ‘cuba të deleve” (Gjn.101ss), ose pse dredhojnë rrugë me doktrinat e tyre private, ose pse lidhen nga leqet e mëkati e të vdekjes? Vlen edhe për ne, të dashur meshtarë, thirrja për t’u penduar e për të kërkuar Mëshirën Hyjnore, e edhe ne duhet t’i drejtojmë me përvujtëri Zemrës së Krishtit, lutjen e përhershme që të na ruajë nga rreziku i tmerrshëm i dëmtimit të atyre, të cilët jemi caktuar t’i shpëtojmë.

Pak më parë munda të nderoj, në Kapelën e Korit, reliken e Famullitarit Shenjt të Arsit; zemrën e tij. Një zemër e përflakur nga dashuria hyjnore, që tronditej thellë nga mendimi i dinjitetit të meshtarit e u fliste besimtarëve me thekse prekëse e sublime, duke pohuar se “Pas Zotit, meshtari është gjithçka!... Ai vetë nuk mund të kuptohet mirë, veçse në qiell” (Cfr Letra për Vitin meshtarak”, fq.2). Ta ruajmë, vëllezër të dashur, të njëjtin emocion, si për të kryer shërbimin tonë me bujari e përkushtim, ashtu edhe për të pasur gjithnjë në shpirt ‘frikën e vërtetë të Zotit”: frikën se mund t’i lemë pa gjithë këtë të mirë, për shkak të çkujdesjes a të fajit tonë, shpirtrat që na besohen, ose, mos e thashtëZoti , edhe t’i dëmtojmë. Kisha ka nevojë për meshtarë të shenjtë; për shërbëtorë që i ndihmojnë besimtarët të provojnë dashurinë përdëllyese të Zotit e të jenë dëshmitarë të bindur. Në adhurimin eukaristik, që pason kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore, t’i lutemi Zotit ta përflakë zemrën e çdo meshtari me “dashurinë baritore”, që është e aftë ta shkrijë ‘unin’ vetjak me Atë të Jezusit Meshtar, për t’i përngjarë, kështu, në vetëdhurimin më të plotë. Na e nxjerrtë këtë hir Virgjëra Mari, Zemrën e Papërlyer të së cilës do ta kundrojmë nesër me fe të gjallë. Famullitari Shenjt i Arsit kishte për të një devocion bijnor aq të madh, sa në vitin 1836, pak para se të shpallej Dogma e të Zënit pa Mëkat të Zojës së Bekuar, ia pati kushtuar famullinë e vet ‘Zojës së Papërlyer’. E kishte, pastaj, zakon t’ia kushtonte shpesh famullinë e vet Zojës së Bekuar, duke i mësuar besimtarët se, “mjafton t’i drejtohesh Asaj, për të nxjerrë hirin e dëshiruar”, thjesht sepse ajo do, mbi të gjitha, të na shikojë të lumtur. Na shoqëroftë Zoja e Bekuar, Nëna jonë, në Vitin Meshtarak, të cilin po e fillojmë sot, që të mund të jemi prijës të palëkundshëm e ndriçues për besimtarët, të cilët Zoti ia beson kujdesit tonë baritor. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.