2009-06-20 18:41:56

Benedikti XVI kujton Alçide De Gasperin: model i fesë e i vetëdijes morale për ata që udhëheqin Italinë.


(20.06.2009 RV)RealAudioMP3 Ndershmëria, feja e çeliktë e autonomia në vendimet politike: këto janë cilësitë, që do ta nderonin çdo burrë të krishterë shteti, cilësi që De Gasperi i mishëroi plotësisht. Këtë theksoi sot Benedikti XVI, duke pritur në audiencë, në Sallën e Papëve në Vatikan, anëtarët e Fondacionit kushtuar Birit të shquar të Italisë, që ndërroi jetë më 19 gusht, 55 vjet më parë, duke shqiptuar tri herë me radhë, me një fije zëri, emrin e Jezusit.
Benedikti XVI e kujtoi si njeri me vlera të krishtera, që e frymëzuan gjithnjë veprimtarinë e tij politike, por që nuk i shpalosi kurrë si flamur për qëllime propagandistike, përkundrazi, për një orientim të kthjelltë shpirtëror, të cilit do t’i qëndronte besnik deri në fund të fundit. Duke kujtuar jetëshkrimin e De Gasperit, Papa theksoi se ishte ai që e mbrojti lirinë e demokracinë në Itali e që udhëhoqi rindërtimin e një vendi, i cili linte pas shpine fashizmin e gërmadhat e konfliktit të dytë botëror:
“I formuar në shkollën e Ungjillit, De Gasperi qe i aftë ta shprehte me akte konkrete e koherente fenë që praktikonte. Përshpirtëria e politika ishin dy permasat karakteristike të personalitetit të tij e të impenjimit të tij shoqëror e shpirtëror”.
Kryeministri i parë i Republikës italiane, që gjeti kohë për t’u lutur e për t’u lidhur me Zotin edhe në çastet më të ndërlikuara të jetës së tij, nderoi kështu Kishën e Italinë, duke u bërë shembull për të gjithë burrat e shtetit me besnikërinë me tij ndaj vlerave njerëzore e kristiane. Me vetëdijen morale, që i priu në të gjitha rrugët e thepta të politikës, nëpër të cilat u përshkua, diti të lidhë ngushtë fenë me politikën, pa e humbur asnjëherë pavarësinë, kur ishte fjala për të marrë vendime të rëndësishme për fatet e Italisë. Kështu, në mbarim të ditëve të jetës, mundi të thoshte “Bëra gjithçka ishte në dorën time, ndërgjegjja ime është në paqe!” dhe “Politikani shikon votimet e ardhshme, burri i shtetit, breznitë e ardhshme”.
Kujtojmë se Alçide De Gasperi (Pieve, 3 prill 1881- Borgo Valsugana, 19 gusht 1954) është politikan italian, më parë anëtar i Partisë Popullore, më pas, themelues i Demokracisë Kristiane, me shkrimin e njohur “Le idee ricostruttive della Democrazia Cristiana. Ishte edhe kryeministri i parë i Republikës italiane, një ndër etërit e Republikës e etërit themelues të Bashkimit Evropian, së bashku me francezin Robert Shuman dhe gjermanin Konrad Adenauer.







All the contents on this site are copyrighted ©.