2009-06-18 16:27:19

Shtetet e Bashkuara të Amerikës qortojnë Izraelin për politikën në Rripin e Gazës


(18.06.2009 RV)SHBA i kanë dërguar një notë diplomatike Izraelit në të cilën shprehet pakënaqësia e Uashingtonit kundrejt politikave të ndjekura në Rripin e Gazës. Lajm u bë i njohur sot nga e përditshmja Haaretz. Sipas kësaj gazete në fakt ka tri javë që kjo notë është dërguar dhe se për të është biseduar edhe gjatë takimit të fundit në Uashington ndërmjet Barak Obamës dhe kryeministrit Netanijahu. Sipas burimeve izraelite dhe atyre amerikane në notë thuhet se SHBA nuk e përkrahin politikën e Tel Avivit e cila e lidh hapjen e rrugëkalimeve me Gazën me çështjen e ushtarit të marrë peng Xhilad Shalit. Sidoqoftë thelbi i mesazhit të Shtëpisë së Bardhë është se nëse Izraeli mendon se Autoriteti Kombëtar Palestinez duhet përkrahur dhe Hamasi duhet dobësuar, atëherë në Rripin e Gazës duhen ndërmarrë hapat e nevojshëm.
Po sot Ministri i jashtëm izraelit Avigdor Liberman, i së djathtës ekstreme, deklaroi se nuk do të ketë një pezullim të përgjithshëm të shtrirjes së ngulimeve hebreje në Cisjordani. Pavarësisht deklaratave të tija të djeshme pas takimit me Sekretaren e Shtetit Hilari Klinton, Liberman tha se ngulimet hebreje duhet të shtrihen sepse kjo është në linjë me “rritjen e natyrshme të kolonëve”.
Kurse Klinton nga ana e saj dje përsëriti se Amerika është kundër shtrirjes së mëtejshme të kolonëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.