2009-06-18 12:03:27

Këshilli i Sigurimit të OKB-së analizon gjendjen në Kosovë.


(18.6.2009 RV)Ministri i Jashtëm i Kosovës Hyseni dhe ai i Serbisë Jeremic shkëmbyen akuza të ashpra në një takim të Këshillit të Sigurimit për shqyrtimin e gjendjes në Kosovë e për kthimin e serbëve. Polemikat i vazhdoi me pas diplomatja Di Karlo. I dërguari i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zanier kritikoi Serbinë dhe Kosovën për mosbashkëpunim mes tyre.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç tha në komentet e tij se sipas shifrave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për refugjatët, mbi 200 mijë serbë ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa vitin e kaluar u kthyen vetëm 500.

Siç citon sot agjencia e lajmeve VOA, Jeremic theksoi si një ndër faktet më të rëndësishme se nga të zhvendosurit serbë janë bërë më tepër se 40 mijë kërkesa për kthimin e pronave të uzurpuara ilegalisht dhe ata nuk kanë marrë përgjigje.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i hodhi poshtë akuzat e zotit Jeremiç si dhe shifrën prej 40 mijë kërkesa për kthime pronash duke i quajtur ato “fantazira”. Ai tha se Beogradi bën lojë me numrat.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri i Jashtëm i Kosovës tha se në fakt Serbia e pengon vetë kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se Kosova nuk po i kryen detyrimet e saj. “Kjo bëhet në mënyrë sistematike” nga Serbia, tha ministri i Jashtëm Hyseni.

Zoti Hyseni tha se Kosova është e angazhuar për kthimin e çdo personi të zhvendosur dhe se të gjitha pretendimet për prona do të marrin përgjigje.

Ndërkaq zëvendës ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Rozmari Di Karlo i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të shpejtojë kthimin e të zhvendosurve. “Është lajm pozitiv, tha ajo, se ritmet e kthimit të serbëve në Kosovë janë shtuar por ende janë në nivele të papranueshme.”
Gjatë 3 muajve që kanë kaluar nga mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, numri i vendeve që kanë njohur shtetin e ri është shtuar. Prishtina ka marrë anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pret votën për t’u anëtarësuar në Bankën Botërore.
Ajo kritikoi Beogradin duke thënë se për fat të keq, autoritetet serbe vazhdojnë të bllokojnë hyrjen e mallrave në Kosovë.

Në pozicione të kundërta sërish dy ministrat vazhduan debatin edhe për çështjen e rikonfigurimit të UNMIK-ut, misionit të OKB-së në Kosovë. Zoti Jeremiç i tha Këshillit të Sigurimit se prania e UNMIK-ut duhet të vazhdojë dhe buxheti i tij të mos shkurtohet.

Ndërsa Ministri i Kosovës Hyseni tha se me vendosjen e pranisë së misionit europian EULEX në Kosovë, UNMIK-u e ka kryer rolin e tij. Zoti Hyseni ka pohuar se nuk ka më funksione të cilat mund t’i kryejë vetëm UNMIK-u. “Nuk mund të qëndrojnë shumë prani ndërkombëtare në të njëjtat mandate,” tha ai.

Zanier: Kosova dhe Serbia po i pengojnë përpjekjet për pajtim

Raporti mbi Kosovën vazhdoi më pas edhe me fjalën e të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, i cili deklaron se Kosova dhe Serbia po i pengojnë përpjekjet për pajtim, për shkak të kalkulimeve lidhur me ndikimin që mund ta ketë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Zanier tha se aftësia e Kombeve të Bashkuara për të promovuar zgjidhje “neutrale” për probleme praktike, “për fat të keq” është ndikuar nga pozicionet e Kosovës dhe të Serbisë nga parashikimet për opinionin e kësaj gjykate.

Ai theksoi më tej se OKB-ja mbetet në një “situatë unike” për të qenë ndërmjetësuese ndërmjet palëve, të cilat nuk janë “të gatshme që me njëra tjetrën të merren vesh drejtpërdrejti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.