(18.6.2009 RV)Në Letrën për hapjen
e Vitit Meshtarak, që do fillon nesër, Papa i fton meshtarët të jenë porsi Shën Gjoni
Vianej “bari sipas zemrës së Zotit”. Pra, një vit për të “promovuar angazhimin e
brendshëm të ripërtëritjes të të gjithë meshtarëve në mënyrë që të japin dëshminë
e tyre ungjillore më të fortë, më të mprehtë e gjurmëlënëse në botën e sotme: këtë
uron Papa Benedikti XVI në letrën drejtuar “vëllezërve në meshtari” me rastin e Vitit
Meshtarak që do të hapet nesër mbrëma në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan me kremtimin
e Mbrëmësores së Dytë të Solemnitetit të Zemrës së Krishtit e në Ditën e lutjes për
shenjtërimin e klerit. Këtë nismë e ka dashur vet Ati i Shenjtë Jozef Racinger
në përkim me 150 vjetorin e “dies natalis” të Shën Gjonit Maria Vianej, Pajtorit qiellor
të meshtarëve famullitarë, i cili vdiq më 4 gusht të vitit 1859. Letra e
Papës u propozon priftërinjve të mbarë botës një përshkim të thjeshtë e korrekt sipas
shembullit të Famullitarit të Arsit, Shën Gjonit Vianej. Benedikti XVI nënvizon para
së gjithash “dhuratën e paçmueshme e tejet të madhe që priftërinjtë përbëjnë jo vetëm
për Kishën, por edhe për vetë njerëzimin”. Letra përmend “mundimet e lodhjet apostolike”,
“shërbimin e palodhshëm e të fshehur” si dhe bamirësinë e të sa e sa priftërinjve,
të përkushtuar pa rezerva në shërbim të Zotit e të të afërmit edhe “ndër vështirësi
e moskuptime”, madje shpesh edhe ndër persekutime “deri në dëshminë supreme me derdhje
të gjakut”. Në anën tjetër, në Letrën e tij, Papa me hidhërim vënë në pah “edhe
situatat e vajtueshme e të dënueshme shkaktuar nga sjelljet e situatat e këqija të
meshtarëve , të cilat sjellje nuk është kurrë e mjaftueshme të dënohen, e nga këto
sjellje e situata të dënueshme të meshtarëve është vetë Kisha që vuan nga pabesia
dhe tradhtia e disa mbarështuesve të saj. Atëherë është bota ajo që nxjerr arsyet
e shkandullit dhe të refuzimit”. Këndej në Letër Papa i tregon me thjeshtësi
elementet që e bënë Shën Gjonin Vianej “bari sipas zemrës së Zotit”: para së gjithash
ai ishte njeri “shumë i përvujtë” por në të njëjtën kohë “i vetëdijshëm, se si meshtar”
ishte për njerëzit e vet “një prej dhuratave më të çmueshme të përdëllimit hyjnor”.
“Dukej si të ishte i pushtuar nga vetëdija e pakufishme që kishte për kuptimin e përgjegjësisë
së misionit”: “Sikur ta kuptonim mirë se çka është prifti mbi tokë – thoshte Shën
Gjoni Vianej – do të vdisnim: jo nga tmerri, por nga dashuria”. Ai e dinte
se ishte i thirrur të “ mishëronte praninë e Krishtit, duke e dëshmuar butësinë e
tij shpëtimprurëse”. “Ajo që më së pari duhet të mësojmë” – shkruan Benedikti XVI
në Letrën drejtuar priftërinjve – është “identifikimi i plotë” i Shën Gjonit Vianej
me misionin e tij meshtarak. “Këtu nuk bëhet fjalë me siguri – shton Papa – të harrosh
se frytet apo rezultati thelbësor i misionit meshtarak mbetet i pavarur nga shenjtërimi
i mbarështuesit apo priftit; por as nuk mund të lihet pas dore e të mos përfillet
fryti i jashtëzakonshëm që buron nga takimi ndërmjet shenjtërisë objektive të mbarështimit
e asaj subjektive të mbarështuesit ”. Kështu, Vianej “vizitonte në mënyrë sistematike
të sëmurët dhe familjet e bashkësisë së vet kishtare; organizonte misione popullore
e festa të pajtorëve qiellor të bashkësisë kishtare; mblidhte para (të holla) për
veprat e tij bamirëse e misionare; zbukuronte Kishën e vet... merrej me të varfërit
e bonjakët ...interesohej për formimin arsimor të fëmijëve: themelonte shoqata kishtare
dhe i ftonte laikët të bashkëpunonin me të”. “Shembulli i Shën Gjonit Vianej – pohon
Papa duke përmendur Koncilin e II të Vatikanit – më shtyn të nxjerri në pah hapësirat
e bashkëpunimit që janë të detyrueshëm të përhapen e shtrihen gjithnjë e më shumë
ndaj besimtarëve laikë, me të cilët meshtarët formojnë një popull të vetëm meshtarak”.
Pastaj Papa kujtoi dëshminë e përditshme të Priftit të Arsit: lutjen e tij para Tabernakullit
të Shenjtë, Meshën, Rrëfimin.”Ai ishte i bindur se nga Mesha varej i tërë zelli i
jetës së një prifti”. “ Arsyeja e shthurjes së meshtarit – thoshte – qëndron në faktin
se nuk i kushton vëmendjen e duhur Meshës! O Zoti im, sa është për t’u vajtuar meshtari
që e kremton Meshën sikur të ishte një gjë e zakonshme!”. Papa pastaj i
këshillon meshtarët, që sipas shembullit të Shën Gjonit Vianej, të kenë një “besim
të pashtershëm në Sakramentin e pendesës” e “ta vendosin atë në qendër të....shqetësimeve
baritore”. “Shpirtrat – vëren Papa – e kanë çmimin e gjakut të Jezu Krishtit e këndej
meshtari nuk mund të mos i kushtohet e përkushtohet shpëtimit të tyre nëse refuzon
të merr pjesë personalisht me ‘çmim të lartë’ të shëlbimit”. Benedikti XVI
i këshillon meshtarët, sipas gjurmëve të këtij shenjti, të jetojnë me “një stil të
ri të jetës”, të përuruar nga Krishti duke ndjekur tri këshillat ungjillor të varfërisë,
pastërtisë e dëgjesës (bindjes) si “udhë e rregullt e shenjtërimit të krishterë” që
duhet zbatuar, secili sipas gjendjes e aftësisë personale që ka. E lidhur me këtë
Shën Gjoni Vianej thoshte: “sekreti im është i thjeshtë: të japësh gjithçka e të mos
mbash për vete asgjë”. E duke qenë krejtësisht i bindur pohonte: “nuk ekzistojnë
dy mënyra të mira për t’i shërbyer Zotit. Ekziston një e vetme: ti shërbesh ashtu
siç donë Ai të jetë i shërbyer”. Më pas Papa i drejtohet meshtarëve me “thirrje
të veçantë që të dinë ta pranojnë e jetojnë pranverën e re që Shpirti i Zotit zgjon
në ditët tona në Kishë, së fundi edhe përmes Lëvizjeve kishtare e Bashkësive të reja”.
Më tutje, Ati Shenjtë Racinger nënvizon nevojën e “bashkimit ndërmjet meshtarëve e
ipeshkvit të tyre” në “një vëllazëri meshtarake efektive dhe afektive. Vetëm kështu
– shpjegon Papa - meshtarët do të dinë ta jetojnë në plotësi dhuratën e celibatit
e do të jenë të aftë të bëjnë të lulëzojnë bashkësitë e krishtera në të cilat përsëriten
mrekullitë e predikimit të parë apostolik”. Së fundit, me Palin e VI Papa kujton se
“ njeriu bashkëkohor i dëgjon më me kënaqësi dëshmitarët se sa mësuesit, apo nëse
i dëgjon mësuesit e bën këtë sepse janë dëshmitarë” . Duke ia besuar Vitin meshtarak
Virgjrës Mari, Papa e përfundon letrën drejtuar priftërinjve me këto fjalë: “ Të dashur
meshtarë, Krishti mbështetët e ka shpresat në ju. Sipas shembullit të Shën Gjonit
Vianej, lëreni veten të pushtoheni nga Krishti e do të jeni edhe ju, në botën e sotme,
lajmëtarë të shpresës, të pajtimit e të paqes!”.