2009-06-17 18:13:15

Sot kremtohet Dita botërore e luftës kundër shkretërizimit e thatësirës shpallur nga OKB-ja


(17.6.2009 RV/ATSH)Dita Botërore e luftimit kundër Shkretërizimit të Tokës, që kremtohet më 17 qershor, apelon për marrjen e masave nga qeveritë për parandalimin e këtij fenomeni, që përbën një çështje të mprehtë globale dhe mjedisore për mbarë njerëzimin.
Për kremtimin e kësaj dite, që këtë vit përkon me 15 vjetorin e themelimit të Konventës, është përzgjedhur tema "Duke mbrojtur tokat dhe ujërat, ne sigurojmë të ardhmen tonë". Kjo ditë apelon për zhvillimin e aktiviteteve dhe sensibilizimin e aktorëve në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar për problemet e shkretërizmit dhe degradimit të tokës dhe për t'i kushtuar vëmendjen e duhur, si dhe investimet e duhura, këtij fenomeni.
Në këtë drejtim, vitin e kaluar, u ndërmorën më tepër se 40 aktivitete në të gjithë botën, ndërkohë që inkurajohet pjesëmarrja dhe bashkëpunimin i publikut në to.
Dita Ndërkombëtare kundër Shkretërizimit të Tokës përkon me datën e adaptimit që iu bë në Paris (Francë) në 17 qershor 1994 Konventës së Kombeve të Bashkuara për luftimin ndaj shkretërizimit dhe degradimit të tokës.
Shqipëri aderon në këtë konventë që prej korrikut të vitit 2000.
- Të dhëna për erozionin dhe masat ndaj tij -
Degradimi i tokës në përgjithësi dhe erozioni në veçanti, me format dhe mënyrat sesi shfaqet dhe si vepron, përbëjnë një rrezik të madh për planetin. Erozioni shtrihet në hapësirat e tokave bujqësore, të kultivuara apo braktisura, në tokat pyjore e livadhore, shtretërit e lumenjve, përrenjtë dhe tokat përreth tyre, por dhe në vijën bregdetare, etj. Dëmet e shkaktuara prej tij ndjehen jo vetëm në bujqësi, por dhe në fusha të tjera të ekonomisë, sikurse urbanistikë, transport, ndërtim dhe energjetikë.
Erozioni në Shqipëri, një ndër faktorët kryesorë të shkretërizimit dhe degradimit të tokës, ka vlera të konsiderueshme, bëhet e ditur nga rezultatet e monitorimit të erozionit dhe shkarjeve të tokës. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e erozionit, ndër të cilat edhe mbjellja e përvitshme e 1 milion fidanë pemëve, të cilat janë një faktor i rëndësishëm për parandalimin e erozionit dhe shkarjes së tokës, tha të mërkurën për ATSH-në Saimir Hoxha, drejtori i Politikave të Mbrojtjes së Natyrës në MMPAU, njëkohësisht Koordinator Kombëtar i Konventës së Kombeve të Bashkuara për luftimin e shkretërizimit dhe degradimit të tokës. Gjithashtu, sipas tij, është reduktuar shfrytëzimi i materialeve në pyje, i cili është ulur me 3 herë që nga viti 2005.
Saimir Hoxha tha se "për parandalimin e erozionit, është reduktuar gjatësia e shfrytëzuar e lumenjve për materiale inerte, duke mos lejuar shfrytëzimin e zonave të ndjeshme (rreth 50 km), si dhe koha e shfrytëzimit të tyre, e reduktuar në 5 muaj në vit". Me qëllim, uljen e shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve për materiale inerte, është nxitur shfrytëzimi i karrierave malore për gurin gëlqeror. Kështu, sipas tij, nga 70, numri i subjekteve që shfrytëzojnë karrierat malore për gurë gëlqeror, ka arritur aktualisht në 160.
Ndërtimi i pritave malore, në zonat të cilat janë identifikuar se ka erozion, por dhe pranë argjinaturave, janë ndër masat e tjera që janë ndërmarrë në drejtim të parandalimit të erozionit. Për monitorimin e vazhdueshëm të tokës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të parametrave të saj, është vënë në dispozicion fondi prej 1 milionë lekë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Mjedist të Shqipërisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, "sasia e tokës që humbet çdo vit luhatet në kufijtë 7,6 - 28,8 ton/ ha me një sasi mesatare të llogaritur 16,3 ton/ha".
Reshjet në rajonet e zonës mesdhetare qendrore dhe jugore karakterizohen nga një agresivitet erodues shumë më i lartë se në rajonet malore qendrore dhe lindore. Monitorimi i depozitimeve të ngurta gjatë përmbytjeve nga përrenjtë tregon se në përgjithësi depozitimet e ngurta janë evidente pas rënies së shirave të rrëmbyeshme në stinën e verës.
Në krahasim me vitin e kaluar depozitimet me materiale inerte janë relativisht më të ulta se ato të vitit 2007. Nga të dhënat e monitorimit të cilësisë dhe sasisë së prurjeve të ngurta pezull në rrjetin kullues dhe ujërat e lumenjve mund të themi se erozioni është në vlera të konsiderueshme në gjithë basenet e lumenjve dhe veçanërisht në lumenjtë e Shkumbinit dhe Semanit. Krahas sasisë së madhe të tokës së gërryer këto lumenj mbartin me vete dhe sasi të konsiderueshme të azotit mineral që është një element shumë i rëndësishëm i pjellorisë së tokave.







All the contents on this site are copyrighted ©.