2009-06-17 17:34:35

Në Iran nuk ndalet protesta


(17.06.2009 RV)RealAudioMP3 Notë e editorit: Reutersit dhe mediave të tjera të huaja, Irani u kufizon aftësinë për të raportuar, për të filmuar apo fotografuar në Teheran.
Fillon kështu një nga lajmet e vëna në rrjet nga agjensia britanike Reuters, që tregon qartë se në ç’gjendje ndodhet Irani në këtë moment. Pas ndeshjeve nëpër rrugë ndërmjet përkrahësve të ish-kryeministrit opozitar, Mir Husein Musavì dhe forcave qeveritare të fitimtarit të deklaruar të zgjedhjeve, presidentit Mahmud Ahmadinexhad, e pas vrasjes së shtatë personave e arrestimit të qindra të tjerëve, sot Musavì i kërkon popullsisë që të bëjë vetëm protesta paqësore, ose të mblidhet nëpër xhami në lutje për viktimat.
Që nga viti 1979, koha e Revolucionit Islamik, sheshet nuk janë mbushur kurrë si këto ditë. Shumë vende të bashkësisë ndërkombëtare kanë shprehur dyshime për vërtetësinë e rezultatit të votimeve dhe regjimi ka pranuar t’i rinumërojë pjesërisht votat. Nga ana tjetër, ka mobilizuar policinë dhe milicinë e pasdaranëve për të shtypur çdo lloj manifestimi, për të cilin nuk është dhënë leja. Gjithashtu, janë vënë kufizime të mëdha në raportimin e informacionit nga ana e mediave. Gjithsesi, sipas presidentit amerikan Obama, ndryshimet ndërmjet dy liderëve janë të pakta. Është gjithnjë fjala për një regjim, i cili po mundohet të ketë armë bërthamore, siç pohoi edhe sot kreu i Agjensisë Atomike të Vienës, El Baradei. E me këtë regjim, dialogu do të jetë i vështirë. Të dëgjojmë komentin e gazetarit iranian, Ahmad Rafat:
Meqë vitin e fundit, kriza ekonomike në Iran ka qenë shumë e fortë, me inflacionin mbi 25%, mendoj se çështjet ekonomike janë arësyeja kryesore se pse njerëzit votuan për Musavìnë. Në politikën e jashtme – së cilës besoj se i referohet presidenti Obama – nuk kam dyshime se për shembull, për një çështje aq të rëndësishme si armatimi bërthamor, Musavì, Ahmadinexhad o kushdo tjetër të zgjidhet president në Iran, në këtë fazë, do të bënte të njëjtën politikë.
Kriza mund t’i shpëtojë kontrollit të politikës?
Ekzistojnë të gjitha kushtet që kjo të ndodhë. Unë mendoj se e premtja e ardhshme do të jetë vendimtare, gjithnjë duke ndjekur kalendarin fetar. Nëse masivisht do të protestohet kundër Khameneit gjatë lutjes, nëse njerëzit do ta ngrenë zërin edhe para tij, përgjigjia që do të japë mund të jetë vendimtare për ngjarjet e mëpasme. O do të fitojnë negociatat dhe njerëzit do të kthehen në shtëpi, sepse mund të humbin udhëheqësin fetar, ose nga e premtja e mbrapa punët bëhen më serioze.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.