2009-06-17 18:12:33

Kriza ekonomike rrezikon shëndetin e fëmijëve e të të rriturve


(17.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Në bashkësinë ndërkombëtare vërehet një mungesë e theksuar barazie në fushën e kujdesit për shëndetin e njeriut. E viktimat e para të kësaj pabarazie janë fëmijët”. Këtë thekson imzot Zigmunt Zimovski, kryetar i Këshillit Papnor për punonjësit e shëndetësisë, sipas të cilit kriza aktuale ekonomike po ushtron një ndikim tejet negativ mbi programet e ndihmës së jashtme, posaçërisht për vendet në rrugë zhvillimi. Aktualisht këto programe janë lënë fare mbas dore ose janë reduktuar aq, sa të rrezikohet shëndeti i mijëra njerëzve. E kjo, sepse vihen dramatikisht në rrezik vetë sistemet shëndetësore të vendeve në zhvillim, të cilat edhe kështu janë në gjendje kolapsi, për shkak të sëmundjeve endemike, epidemike e virale.
Fusha e shëndetësisë – kujton kryeipeshkvi polak në një intervistë dhënë gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ – është delikate. Ka të bëjë me të drejta e detyra nga ana e njerëzve dhe e institucioneve. Prandaj nuk lejon apati e kërkon solidaritet global ndërmjet vendeve të pasura e atyre të varfëra, e jo më pak, frymë solidariteti brenda vetë vendeve të veçanta, edhe kur janë të pasura. Veç kësaj, është tejet aktuale të theksojmë - shpjegon kreu i dikasterit vatikanas – se personat e prekur nga gripi H1N1 (i njohur si gripi i derrit), nuk duhet të veçohen e të trajtohen gati-gati si të ishia, duhen mirëpritur e sidomos, duhen mjekuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.