2009-06-17 18:12:50

Dorëzohen në Vatikan dokumentet për çështjen e lumnimit të 125 martirëve koreanë - së shpejti, edhe të martirëve shqiptarë.


(17.06.2009 RV)RealAudioMP3 Kongregata e Vatikanit për çështjet e shenjtorëve pranoi dokumentet e Kishës koreane për lumnimin e 125 martirëve, vdekur ndërmjet viteve 1791 e 1884. Shumica e tyre ishin laikë. Por ndërmjet të lumëve të ardhshëm, është edhe një meshtar, Atë Tomaz Shoe-Jang-eop, që njihet si ‘martiri i djersës’, sepse gjatë jetës së tij përshkoi 2800 kilometra, duke ungjillëzuar zonat më të humbura të vendit. Lajmin e jep Azianjuz, agjensi e Institutit Papnor për misionet e jashtme.
Delegacioni, që ishte në Vatikan më 3 qershorin e kaluar, kryesohej nga imzot Peter Kang U-il, kryetar i Konferencës ipeshkvnore koreane, i shoqëruar edhe nga Françesk Kim Ji- Jong, ambasador i Republikës koreane pranë Selisë së Shenjtë. Duke u takuar me anëtarët e delegacionit, imzot Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për çështjet e shenjtorëve, pohoi se deri tani në Kongregatë janë paraqitur rreth 2000 kërkesa për lumnime, nga mbarë bota. Prelati sqaroi se po shqyrtohen në radhë të parë dokumentet e ardhura nga Azia e nga vendet afrikane.
Kujtojmë se në Shqipëri vijon përgatitja e dokumenteve, që kanë të bëjnë me çështjen e lumnimit të 40 martirëve të kishës katolike, kryesisht viktima të komunizmit, shqiptarë e misionarë të huaj. Pas mbledhjes së qindra dëshmive e dokumenteve, materialit po i jepet dora e fundit nga kryepostulatori i çështjes, françeskani italian Leonardo di Pinto. Për ecurinë e procesit të lumnimit të martirëve të Kishës në Shqipëri, që ka shumë mundësi të përfundojë gjatë këtij viti, pak kohë më parë foli, në mikrofonin tonë, edhe dom Gjovani Kokona, intervistën e të cilit mund ta ridëgjoni, duke shfletuar faqen tonë të internetit.
E, kujtojmë se, kur u hap çështja në katedralen e Shkodrës, kardinali Kreshencio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, i pranishëm në Shqipëri më 6 deri më 11 nëntor 2002, i quajti martirët tanë : Ikonë e gjallë e Kishës Universale”.
Duke shfletuar kujtesën historike të Programit shqip pranë Radio Vatikanit, ridëgjojmë një intervistë që Hirësia e Tij, kardinali Sepe i pati dhënë kryredaktorit tonë, dom David Gjugjës, pak orë para se të nisej për në Shqipëri, duke u ndalur posaçërisht tek vlera e kësaj çështjeje për Kishën Universale. Po shkëpusim një fragment të saj:

Pyetje: - Gjatë vizitës suaj në Shqipëri, ju do të shpallni edhe listën e martirëve, për të cilët Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dëshiron të hapë procesin e lumnimit e të kanonizmit…

Përgjigje: - […] Ky do të jetë një qëllim tjetër i vizitës sime - shkoj edhe t'u kujtoj të gjithëve, ndonëse nuk është fort nevoja, mbasi kujtimi është i gjallë - do të thosha prandaj - shkoj të nënvizoj - se kjo Kishë i ka themelet në gjakun e martirëve - kujtimi i të cilëve duhet të mbetet gjithnjë i gjallë, nuk duhet harruar kurrë. Pikërisht në takimin që do të kemë me ipeshkvijtë, do të përpiqem t'u jap zemër të ecin përpara edhe përsa i përket këtij procesi të beatifikimit e të kanonizmit të martirëve, të cilët janë sigurisht nga më të dalluarit në faqet e lavdishme të martiriologut, që ka shkruar Kisha në shekullin e kaluar e që prandaj, nuk i përkasin vetëm Shqipërisë, por mbarë Kishës , si pikë e fuqishme mbështetjeje për forcimin e fesë në Jezu Krishtin.

 
Pyetje: - Në listën e martirëve, propozuar nga ipeshkvijtë, nuk shënohen vetëm emra martirësh shqiptarë, por edhe italianë e gjermanë, si Atë Gjovani Fausti, Dom Alfons Tracki e të tjerë - që dhanë dëshminë e gjakut për Krishtin e për Kishën e tij në Shqipëri - e kështu krijohet një ikonë e vërtetë misionare….

Përgjigje: - Misionarët kanë pasur e kanë meritë të madhe që në fillim, sepse këta vëllezër e motra tona, lanë gjithçka, për të ndihmuar në rindërtimin shpirtëror, shoqëror e material, rindërtim që vijon, sepse martirët nuk i pengojnë kufijtë e atdheut, as të kulturës, as të ngjyrës së lëkurës. Eshtë i njëjti gjak, i kuq, që vijon të derdhet në botë - ai që u derdh në trojet shqiptare, duke i hapur udhën misionarëve të tjerë, të cilët bëjnë çmos ta ndihmojnë popullin shqiptar në rilindjen e tij të vështirë.
E duhet ta kemi mirë parasysh se për ta kumtuar Ungjillin e Krishtit, ashtu si edhe për të dhënë ndihmesën në të gjitha fushat e mundshme, duhet hyrë në mendësinë, në jetën konkrete shoqërore-kulturore e fetare. Natyrisht sot për sot prania e misionarëve është shumë aktuale, plot gjallëri, por besojmë se nesër do të jetë Shqipëria ajo që do t'i japë shumë misionarë mbarë kishës; njerëz që e kanë ruajtur fenë në rrethana shumë të vështira, siç ishin ato të salvimit fetar, jo më shumë se dhjetë vjet më parë. E pastaj kemi të bëjmë me traditën tipike të vendeve ballkanike, që bëhet shembull për të tjerët, sepse ai që del nga katakombet, del më i përforcuar në fe, më i fuqishëm. Prandaj kjo dëshmi e besimit fetar, e pëshpirtërisë dhe e jetës së krishterë shqiptare mund t'u sjellë, pa dyshim, shumë dobi edhe kombeve të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.