2009-06-16 15:20:50

Mësimet e Benediktit XVI mbi meshtarinë: shërbim i së vërtetës me dashuri.


(16.06.2009 RV)RealAudioMP3 Meshtarët duhet të jenë “ekspertë” të Zotit. Mund të përmblidhet kështu mësimi i Benediktit XVI mbi shërbimin e priftërinjve në Kishë. Në mëse katër vjet papni, Ati i Shenjtë ka folur shpesh për identitetin e meshtarëve në kohën tonë e një reflektim edhe më i thellë do të bëhet gjatë Vitit Meshtarak, që do të shpallet më 19 qershor, pra të premten, në Solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Krishtit.
Kush shkon në meshë i afrohet rrëfyestores, kërkon një këshillë shpirtërore, takon një meshtar, por në të vërtetë dëshiron të takojë Krishtin e të dëgjojë zërin e Hyjit. Këtu përmbyllet misioni i thjeshtë, por njëkohësisht tepër i rëndësishëm i një prifti. Ai duhet të jetë fytyra pas së cilës duket një Fytyrë tjetër, duhet të flasë fjalë që janë Fjala e Zotit. Nga kjo përgjegjësi e jashtëzakonshme, që shkon përtej cilësive njerëzore, humaniteti i meshtarit modelohet vazhdimisht sipas hyjnisë së Meshtarit të përsosur, Krishtit. Mësimet e Benediktit XVI, magjisteri i tij, sillet rreth këtyre bindjeve, të cilat Papa i ka propozuar sa herë i është dhënë rasti. Gjatë Meshës së Bagmit të këtij viti, Ati i Shenjtë përvijoi, përmes pyetjeve, figurën e një meshtari të denjë:
“A jemi vërtet të përshkuar nga Fjala e Zotit? A është e vërtetë që ajo është ushqimi i jetës, më tepër se buka, apo gjërat e kësaj bote? A e njohim vërtet? A e duam? A hyn kjo Fjalë kaq brenda nesh, sa të lerë vërtet gjurmë në jetën dhe mënyrën tonë të të menduarit? Apo mendimi ynë modelohet gjithnjë nga ç’thuhet e ç’bëhet? A nuk janë ndoshta tepër shpesh opinionet mbizotëruese, kriteret me të cilat matemi? A nuk mbetemi, në fund të fundit, në sipërfaqe të gjithçkaje i imponohet njeriut të sotëm? A e lemë veten vërtet të pastrohemi në brendësi të shpirtit nga Fjala e Zotit?”
Meshtari, pat thënë Papa në Meshën e Bagmit, është një njeri që i largohet lidhjeve me botën dhe ia dhuron jetën e vet Zotit. Qëllimi i këtij largimi është arësyeja e shpalljes së Vitit Meshtarak, favorizimi i “tendosjes drejt përsosjes shpirtërore”, siç pohoi Benedikti XVI më 9 mars, kur lajmëroi për këtë vit para Kongregatës për Klerin. Gjatë udhëtimit të tij në Poloni, më 25 maj 2006, pati thënë:
“Nga meshtarët, besimtarët presin vetëm një gjë: që të jenë specialistë në nxitjen e takimit të njeriut me Zotin. Meshtarit nuk i kërkohet të jetë ekspert në ekonomi, në ndërtim apo në politikë. Prej tij pritet që të jetë ekspert i jetës shpirtërore… Të jeni të vërtetë në jetën e shërbimin tuaj. Duke shikuar Krishtin, bëni një jetë të thjeshtë, solidare me besimtarët, që u janë besuar. Shërbejuni të gjithëve; nëse jetoni me fe, Shpirti i Shenjtë do t’ju sugjerojë se ç’duhet të thoni e si duhet të shërbeni”.
Pra, gjithnjë shikimin drejt Zotit e për pasojë edhe drejt njerëzimit. Meshtari jeton ndërmjet dy botëve, por Papa është gjithnjë shumë realist kur vlerëson ndikimin e gjërave të kësaj bote mbi shpirtin e priftërinjve, i cili duhet të priret drejt Qiellit. Prandaj, gjatë Meshës së Bagmit të vitit 2008, thotë:
“Meshtari duhet të vigjëlojë. Duhet të ketë kujdes para forcave të së keqes. Duhet ta mbajë zgjuar botën për Zotin. Duhet të qëndrojë në këmbë: drejt, para rrymave të kohës. Drejt, në të vërtetën. Drejt, në impenjimin për të mirën”.
Mjetet për përsosjen e tij shpirtërore i njeh çdo meshtar: Eukaristia, lutja e vazhdueshme dhe e thellë, formimi i përhershëm. Papa flet gati çdo javë, kur dhomat e shtëpisë së tij mbushen me ipeshkvij nga e gjithë bota, që vijnë në Vatikan për t’i treguar për Kishën lokale. Por ka një fill, që i lidh të gjitha fjalimet e tij, diçka që sipas Benediktit XVI, e dallon meshtarin, siç thotë më 13 maj 2005, në takimin tradicional me klerin romak:
“Gjithçka që është themelore për shërbimin tonë nuk mund të jetë produkt i aftësive tona personale… Jemi dërguar jo për të shpallur vetveten, apo opinionet tona, por misterin e Krishtit e në Të, përmasën e humanizmit të vërtetë. Jami ngarkuar jo të themi shumë fjalë, por t’i bëjmë jehonë e të sjellim vetëm një “Fjalë”, që është Fjala e Zotit bërë njeri për shëlbimin tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.