2009-06-16 15:42:53

Kardinali Turan i kënaqur nga hinduistët, pas kthimit nga takimi ndërfetar i Bombeit


(16.06.2009 RV)RealAudioMP3 “U hap një kapitull i ri në marrëdhëniet ndërmjet katolicizmit dhe hinduizmit”: kjo është bindja e kryetarit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinal Zhan-Lui Turan, pas kthimit nga India. Prelati ka qenë për herë të parë në këtë vend në vitin 2008, disa javë para valës së dhunës kundër të krishterëve në shtetin e Orisës. Pikërisht për të kuptuar zanafillën e asaj dhune, kardinali Turan kërkoi një takim të nivelit të lartë ndërmjet hinduistëve dhe katolikëve. Mbledhja, me dyer të mbyllura, u zhvillua në Bombei më 12 qershor. Flet për të në mikrofonin tonë, vetë kardinali:
Munda të konstatoj se për miqtë tanë hinduistë është shumë e vështirë të kuptohet ndryshimi ndërmjet katolikëve, baptistëve, pentekostalëve… Duhet nënvizuar se shpesh ata kritikojnë të krishterët për prozelitizëm, për ndërtimin e kishave, duke i vënë të gjithë në një thes. Ekziston një rajon ku po ndërtohen 160 kisha: është e qartë se nuk janë kisha katolike, janë ndërtesa të sekteve protestante. Kështu që m’u desh t’i shpjegoja njërit prej krerëve më të rëndësishëm të hinduistëve ndryshimet ndërmjet një katoliku e një protestanti, e duhet të them se nuk kishte ide shumë të qarta për këtë.
Krerët që takuat ju konfirmuan praninë gjithnjë në rritje të bashkësive evangjelike, apo jo?
Po, në të vërtetë kam përshtypjen se ishin shumë të shqetësuar për këtë lloj “pushtimi”, për të cilin edhe ne paguajmë pasojat. Por mendoj se takimi ynë pati avantazhin e madh të sqaroheshim dhe na mundësoi të bisedonim e të dëgjonim se hindusitët nuk kanë asgjë kundër katolikëve. Pastaj, folëm edhe për kthimin në katolicizëm, pasi përsëritëm që për Kishën Katolike kthimi me forcë nuk ka asnjë vlerë. Mund të them se ky takim ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet katolicizmit dhe hinduizmit: më tepër se mbledhje, ishte një fillim, një bisedë mes miqsh, e cila – sipas meje – do të sjellë fryte.
Krerët hindusitë që takuat ju, i dënuan vërtet aktet e dhunshme të fondamentalistëve?
Thanë: ne nuk e pranojmë këtë dhunë, pasi kjo nuk është India. Ne jemi një popull paqësor, tolerant. U shqetësuan sëbashku me ne për dhunën e ushtruar në emër të fesë kundër të krishterëve në përgjithësi. Të dyja delegacionet kërkuan të respektohen të gjitha fetë, pasi kjo është mënyra e vetme për të garantuar harmoninë në shoqërinë indiane, në të cilën bashkëjetojnë shumë kultura e shumë fe.







All the contents on this site are copyrighted ©.