(15.06.2009 RV)(Trapani, shek III- Lukania, 15 qershor 303). Nuk dihet asgjë
e saktë për origjinën e Shenjtit adoleshent, ndonëse në ‘Rrëfimin’ mbi martirizimin
e tij, pa kurrfarë vlere historike, shënohet se lindi në Sicili nga një baba pagan
e se vuajti shtatë vjet burg, vetëm sepse ishte i krishterë. E vetmja e dhënë e pranueshme
mbi jetën e tij, që shënohet edhe në Martiriologun Jeronimian, është se jetoi në Lukaní,
ku thuhet se filloi të bënte mrekulli që në moshën 7 vjeçe, Tejet popullor në mesjetë,
u radhit në grupin e 14 Shenjtorëve Ndihmës, ndërmjetësimi i të cilëve konsiderohet
tepër i frytshëm për të zgjidhur probleme të vështira e për të shëruar sëmundje të
rënda. 13 të tjerët janë: Akaçio, Barbara, Vlashi, Katerina e Aleksandrisë, Qiriaku,
Kristofori, Dionisi, Egjidi, Erazmi, Eustaku, Gjergji, Margerita e Pantaleoni. Atij
i kërkohet ndërmjetësim për të shëruar letargjinë, zënien nga gjarpëri e kafshimin
nga kafshët e tërbuara. Sipas legjendës, Shën Viti, që i mitur, pati shëruar të birin
e Dioklecianit, në një moshë me të, që vuante nga epilepsia apo, në gjuhën popullore,
sëmundja e tokës. Për mbarimin e tij, tradita jep të dhënat që janë të zakonshme
për të gjithë martirët: dmth se ndonëse i mitur, u bëri ballë torturave e pranoi të
derdhte gjakun për Krishtin, duke i qëndruar besnik deri në fund, i ndihmuar edhe
nga dadua, Kreshencia, e mësuesi, Modesti, që e rritën dhe e mësuan, edhe ata të arrestuar
e të flakur në të njëjtën qeli. Dihet me siguri se u martirizua në Lukaní, ndërsa
të gjitha të dhënat e tjera mbi jetën e tij, kanë ngjyrime të forta legjendare. Disa
thonë se u mbyt kur ishte vetëm 12 vjeç, të tjerët, 15 e të tjerë akoma, 17 vjeç.
Njihet si pajtor i shurdhmemecave e posaçërisht i balerinëve, për shkak se gjestet
e tyre u ngjasin lëvizjeve të epileptikëve. Është edhe pajtor i të pagjumëve e njerëzve
të pushtuar nga shejtani.