Në festën e Korpit të Krishtit, “Bukë e jetës”, Papa kujton qindra miliona të uritur
dhe kërkon një ekonomi të qëndrueshme, etike, në prag të Konferencës së OKB-së për
krizën e ndikimin e saj mbi zhvillimin.
(15.06.2009 RV)Dje, kur në shumë
vende të botës kremtohej festa e Korpit të Krishtit, “Bukë e jetës”, Papa tërhoqi
vëmendjen e mbarë botës mbi qindra miliona njerëzit, që vuajnë nga uria. Një realitet
i papranueshëm - vërejti Benedikti XVI - në atmosferën e Konferencës së OKB-së për
krizën ekonomike e financiare, që do të mblidhet më 24 deri më 26 qershor, në Nju
Jork. Më pas Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të luten për Vitin meshtarak,
që do të fillojë të premten e ardhshme, menjëherë pas përfundimit të Vitit kushtuar
Shën Palit.
Në Pallatin e Qelqit, në Nju Jork, do të flitet për krizën ekonomike
e financiare dhe për ndikimin e saj mbi zhvillimin: pas lutjes së djeshme të Engjëllit
të Tënzot, Ati i Shenjtë, me fjalë të qarta e të prera, i ftoi qeveritarët e liderët
e botës të ndryshojnë kursin drejt një bote më të mirë. “Lutem që pjesëmarrësit
në Konferencë si dhe drejtuesit e pasurisë publike e të fateve të planetit, të frymëzohen
nga shpirti i urtisë e i solidaritetit njerëzor e që kjo krizë të shndërrohet në mundësi
për t’i kushtuar më shumë vëmendje dinjitetit të çdo njeriu, promovimit të ndarjes
së drejtë të pushtetit vendimor e të burimeve materiale, e sidomos, numrit, për fat
të keq gjithnjë në rritje, të të varfërve”. Pikërisht në ditën kur shumë
vende të botës kremtonin festën e Korpit të Krishtit, që është ‘Bukë e Jetës”, Benedikti
XVI kujtoi qindra miliona njerëz, të cilëve u mungon edhe buka e gojës. Realitet
krejt i papranueshëm për Papën, i cili me keqardhje shpjegoi se, pavarësisht nga përpjekjet
e viteve të fundit, uria vijon të shkaktojë një numër gjithnjë më të madh viktimash
nëpër botë. “Uroj, prandaj, që me rasin e Konferencës së ardhshme të OKB-së,
e në selinë e institucioneve ndërkombëtare të merren vendime të përbashkëta, të miratuara
nga mbarë bashkësia ndërkombëtare e të zgjidhen strategjitë, nganjëherë jo të lehta
për t’u pranuar, që janë të nevojshme për t’u siguruar të gjithëve, sot e në të ardhmen,
ushqimet kryesore e jetën dinjitoze”. Pas Lutjes mariane, Ati i Shenjtë
shpjegoi kuptimin e Festës së Korpit të Krishtit, ‘ditë që merr përmasa kozmike”,
festë, në qendër të së cilës është simboli i bukës, fryt i tokës e i qiellit. Ja,
pra, Buka eukaristike është shenjë e dukshme e Atij, në të cilin qielli e toka, Hyji
e njeriu bëhen një gjë e vetme. Kështu Korpi i Krishtit është dëftim i Hyjit, që na
dëshmon se Zoti është dashuri. “Duke e parë Atë e duke e adhuruar,
ne themi: po, dashuria ekziston, e me që ekziston, gjërat mund të ndryshojnë për mirë
e ne mund të shpresojmë. E shpresa, që vjen nga dashuria e Krishtit, na jep forcë
të jetojmë e t’i përballojmë të gjitha vështirësitë”. Për këtë Bukë – nënvizoi
Ati i Shenjtë – kemi nevojë të gjithë, sepse i gjatë e i mundimshëm është shtegu që
çon drejt lirisë, drejtësisë e paqes. Para se të përshëndetej me besimtarët, mbledhur
me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell përvëlues, Papa u kërkoi të luten
posaçërisht për Vitin meshtarak, që do të fillojë me kremtimin e Lutjeve mbrëmësore,
të kryesuara nga Benedikti XVI në Bazilikën e Vatikanit, të premten e ardhshme, më
19 qershor, në festën e Zemrës së Krishtit. Fillon kështu një vit i ri jubilar, që
përkon me 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianejt, i cili me këtë rast
do të shpallet nga Papa “Pajtor i gjithë meshtarëve të botës”, të cilët sot janë 408
mijë. “Uroj që ky vit i ri jubilar të jetë rast i përshtatshëm për të thelluar
vlerën e rëndësinë e misionit meshtarak e për t’iu lutur Zotit t’i dhurojë Kishës
së vet meshtarë të shumtë e të shenjtë”. Së fundi, gjatë përshëndetjeve
drejtuar besimtarëve, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht disa drejtues të sipërmarrjeve
të mëdha ndërkombëtare, duke prekur përsëri temën ekonomike e duke i inkujaruar ta
përballojnë sfidën e ekonomisë së qëndrueshme dhe etike.