2009-06-15 17:57:47

Meksikë: vriten dy seminaristë


(15.06.2009 RV)Imzot Maksimin Martinéz Miranda, ipeshkëv i Çiudad Altamiranos, në Shtetin e Guerreros, në Meksikë, konfirmoi vrasjen e një meshtari, atë Habakuk-Hernandez Benítez dhe të dy seminaristëve, Eduardo Oregón Benítez dhe Silvestër Gonzáles Kambron ndërsa udhëtonin në rrugët e qytetit me një kamionçinë, për të marrë pjesë në një takim për punën baritore me thirrjet meshtarake. Sipas shtypit vendas, viktimat janë qëlluar pas shpine me disa plumba, që ka mundësi të jenë nisur nga armët e bandave të shitjes së drogës, gjatë një konflikti ndërmjet tyre. Por deri tani policia dhe autoritetet e qytetit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim të pranueshëm të fakteve. Kryeipeshkvi i Akapulkos, imzot Felipe Aguirre Franko, pasi konfirmoi lajmin në një takim të shkurtër me shtypin, hamendësoi se meshtari e seminaristët mund të jenë ndodhur rastësisht, në mes të një ndeshjeje të bandave kriminale të drogës, të shpeshta në zonat e ndryshme të Meksikës, ku edhe sundojnë të patrazuara. Duke u shprehur familjarëve të të vrarëve solidaritetin dhe pjesëmarrjen në dhimbjen për humbjen e të dashurve, imzot Aguirre Franko njoftoi se të katër dioqezat e provincës kishtare u mblodhën sot për të analizuar situatën e rëndë në Shtetin e Guerreros e botuan edhe një komunikatë përfundimtare, lidhur me ngjarjen e hidhur, duke kërkuar t’i jepet fund një herë e mirë dhunës, gjatë së cilës qytetarët përdoren si mburoja në raste konfliktesh tejet të shpeshta, që varen nga forca, të cilat qëndrojnë shumë më lart se qytetarët e thjeshtë e që dëshirojnë të imponojnë në vend ‘ligjin e xhunglës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.