2009-06-15 17:58:16

Kritika propozimit të Netanijahut për një shtet palestinez


(15.06.2009 RV)RealAudioMP3 Bashkësia ndërkombëtare shikon me interes zhvillimin e gjendjes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, pas deklaratave të kryeministrit izraelit Benxhamin Netanijahu, i cili dje, duke folur në Universitetin Bar Ilan të Tel Avivit, për herë të parë pranoi hipotezën e krijimit të një shteti palestinez, me kusht që ai të çmilitarizohet. Pra një shtet pa ushtri e pa hapësirë ajrore ushtarake të vetën, me kontroll mbi hyrjen e armëve dhe pa mundësinë për të nënshkruar traktate. Gjithashtu, Netanijahu foli për Jeruzalemin, të cilin e konsideroi kryeqytet unik të shtetit hebraik, dhe kërkoi që të mos pengohen ngulimet e kolonëve izraelitë në Çisjordani e refugjatët palestinezë të mos kthehen në Izrael. Palestinezët i kanë kritikuar ashpër propozimet, duke i konsideruar si një goditje e fuqishme kundër procesit të paqes. Të dëgjojmë komentin e Maria Gracia Enardu, pedagoge e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences, në Itali:
Sigurisht që deklaratat janë një hap përpara në një pikë vendimtare siç është njohja nga ana e Netanijahut e nevojës së ekzistencës së dy shteteve, pra edhe të një shteti palestinez. E këtu, presidenti amerikan Obama bën mirë që e inkurajon. Gjithçka tjetër nuk është pozitive, sidomos çështja e ngulimeve hebraike, për të cilat Netanijahu tha qartë se do të vazhdojnë. Përsa i përket çmilitarizimit mund të realizohet e duhet të realizohet, ndërsa përsa i përket Jeruzalemit si kryeqytet unik e këndvështrimit gjithnjë negativ mbi Hamasin, kemi rezerva të mëdha. Gjithsesi, është hapi i parë.
Sipas jush, problemi i Jeruzalemit do të jetë kryesor në dialogun izraelito-palestinez?
Jo, sepse Jeruzalemi, për një sërë arësyesh, është problemi i fundit. Më parë kemi çështjen e njohjes së Izraelit si shtet hebraik. Çka nuk u prek aspak në fjalim janë edhe kufijtë e shtetit palestinez. Cilat janë? Ato para 1967-ës, siç kërkohet nga e gjithë bota arabe, apo me ndryshime pak a shumë të mëdha? Sidoqoftë, t’u kërkosh palestinezëve të njohin Izraelin si shtet hebraik, duke u vënë si kufi çmilitarizimin e plotë, përfshi hapësirën ajrore, do të thotë t’u vendosësh kushte që ndoshta Abu Mazen nuk mund t’i pranojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.