2009-06-15 17:57:16

Benedikti XVI kërkon më shumë guxim në luftën kundër tregtisë së njerëzve. Imzot Velio: të mos heshtet për këtë fenomen të rrënqethës.


(15.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Rregulltaret në rrjet kundër tregtisë dhe shfrytëzimit seksual të grave të fëmijëve”: u hap sot në Romë Kongresi ndërkombëtar, organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG) dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (OIM), financuar nga SHBA e kushtuar pikërisht temës së skllavërive moderne e të shpërdorimit seksual.
Në një telegram, me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizo Bertone, drejtuar pjesëmarrësve të takimit, Papa e vlerëson lart tubimin e rëndësishëm, që do të vijojë deri më 18 qershor, pranë Institutit ‘Vëllezërit e Shkollave të Krishtera”.
Benedikti XVI uron që ky Kongres domethënës, të thellojë vetëdijën për vlerën e paçmuar të jetës e t’i japë një shtytje të re impenjimit të guximshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me qëllim që të kapërcehet çdo formë shfrytëzimi.
E statistikat na kujtojnë se sot 4 milion njerëz në botë janë viktima të shfrytëzimit në atë që, çuditërisht, quhet ‘industri e seksit’. “Nuk do të heshtim!” – patën pohuar pa asnjë ngurrim rregulltaret në dokumentin përfundimtar të Kongresit I të kësaj natyre, organizuar vitin e kaluar. Punimet e Kongresit II, që po zhvillohen me dyer të mbyllura, i hapi kryeipeshkvi Antonio Maria Velio, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve e të endacakëve. Prelati i inkurajoi gratë e shuguruara ta vijojnë me guxim misionin e tyre, në luftë kundër këtij krimi, që dhunon të drejtat themelore të njeriut dhe rrënon shpirtërisht e materialisht miliona jetë njerëzore.
Prelati deklaroi se në këtë fushë Kisha luan rol jo vetëm të rëndësishëm, por edhe profetik e se tregtia e njerëzve, për shumë kohë, ka qenë në dorë të strukturave të kontrollit, të cilat e mbulojnë turpin e hipokrizinë e pjesëtarëve të shoqërisë. Janë probleme aspak të lehta për t’u pranuar, aspak të këndshme për t’u theksuar e aq më pak, për t’u përballuar, me që manifestojnë një zonë të errët të shpirtit njerëzor. Prej këndej lind pyetja: duhet folur apo duhet heshtur për këtë fenomen? Kisha mendon se duhet folur e duhet vepruar me besim e siguri. Si të krishterë – theksoi imzot Velia - nuk mund të heshtim përballë një fenomeni të tillë rrënqethës.
Duke prekur këtë problematikë, motra Bernardetë Sangma, rregulltare saleziane, një nga organizatoret e rrjetit kundër tregtisë së njerëzve, shprehet kështu në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Asnjë karizmë nuk duhet ta ndjejë veten të huaj përballë këtij fenomeni të përhapur në çdo skaj të botës, me shkaqe nga më të ndryshmet, që nga ato shoqërore, tek ato ekonomike, kulturore e politike. Ne luftojmë për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, duke punuar për promovimin e kulturës në përgjithësi, prej nga rrjedh edhe promovimi i të drejtave të njeriut. Bëjmë kryesisht përpjekje për ta parandaluar fenomenin, për t’i mbrojtur njerëzit e edhe për t’i shpëtuar, kur janë bërë viktima të tij.

Pyetje: - Në përpjekjen për ta parandaluar fenomenin e tregtisë së njerëzve, menduat të organizoni këtë rrjet. Pse?

Përgjigje: - Menduam për rrjetin, sepse e dimë që ky fenomen ekziston pikërisht për shkak të një rrjeti tjetër: rrjetit të krimit të organizuar. Ky rrjet organizatash kriminale është tejet i fortë. Ata janë shumë të organizuar në vende të ndryshme. E kur flasim për trafik, flasim për tri kategori vendesh: vendet prej nga vijnë, ku kalojnë e ku drejtohen, pa kurrfarë pengese, tregtarë e viktima. Atëherë ne, regulltaret, të pranishme në të katër anët e botës, duam të krijojmë po aq rrjete, natyrisht të solidaritetit, në mënyrë që njerëzit të mos bien aq lehtë në kurthin e këtyre organizatave kriminale.

Pyetje: - Motër Bernardetë, a nuk kini frikë t’i përballoni këto organizata, t’i pengoni, t’u vini fre?

Përgjigje: - Kur mendojmë për frikën, dëgjojmë këtë shprehje shumë të përsëritur në Bibël: “Mos kini frikë; Unë jam me ty, Unë jam me ju! Kjo na siguron se Besojma jonë nuk do të na braktisë. Përkundrazi, do të na ndihmojë. Nuk them se nuk kemi fare frikë, sepse është vërtetë për t’u trembur. Natyrisht kemi frikë, por kemi edhe besim, e besimi e mund frikën.







All the contents on this site are copyrighted ©.