2009-06-13 15:02:11

Benedikti XVI Fondacionit "Centesimus Annus": kriza kapërcehet me një sistem ekonomik të bazuar mbi etikën e solidaritetin


(13.06.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI priti në audiencë anëtarët e Fondacionit “Centesimus Annus Pro-Pontifice”, i cili është formuar në vitin 1993, me qëllim që të përhapë në botën ekonomike dhe afariste parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës. Bota, në krizë globale, ka nevojë për një “ekonomi moderne”, solidare, që respekton të drejtat e më të dobtëve e në përgjithësi, dinjitetin e njeriut. Fjala “moderne” në fjalorin e Atit të Shenjtë duhet kuptuar si ajo që lidh ngushtë tregun, ndërmarrjen, zhvillimin ekonomik me të mirën e përbashkët, këndvështrimin etik mbi punën, respektimin e njeriut:
“Në fakt, kriza financiare dhe ekonomike që ka goditur vendet e industrializuara, ato që po dalin tani mbi ujë e ato në zhvillim e sipër, tregon qartë se si duhen rimenduar disa paradigma ekonomiko-financiare, dominuese gjatë viteve të fundit”.
E më pas, Benedikti XVI lavdëroi ata që e kanë parë botën e ekonomisë dhe të financës duke u nisur nga idealet e krishtera:
“Mirë ka bërë pra, Fondacioni juaj, që ka përballuar me Kuvendin ndërkombëtar të djeshëm, temën e kërkimit dhe të gjetjes së vlerave e të rregullave, të cilave duhet t’u përmbahet bota ekonomike për të vënë në jetë një model të ri zhvillimi, më të kujdesshëm ndaj kërkesave të solidaritetit dhe të dinjitetit njerëzor”.
“Vlera e rregulla”. Benedikti XVI nguli këmëbë në këtë binom, duke kujtuar disa nga pasazhet e Enciklikës “Centesimus Annus”. Ekonomia e tregut, apo ai “sistem ekonomik që njeh rolin pozitiv të ndërmarrjes, të tregut, të pronës private e të përgjegjësisë për mjetet e prodhimit që pason, të krijimtarisë së lirë njerëzore në sektorin e ekonomisë” – theksoi Papa – do të jetë rrugë përparimi ekonomik e qytetar, vetëm nëse orientohet nga e mira e përbashkët. E më pas, nënvizoi:
“Uroj që hetimet e bëra në punimet tuaja, të frymëzuara nga parimet e përjetshme të Ungjillit, të çojnë drejt një ekonomie moderne, që respekton nevojat e të drejtat e më të dobtëve. Siç e dini, do të publikohet së shpejti Enciklika ime kushtuar temës së gjerë të ekonomisë e të punës: në të do të vihen në dukje ato që janë për ne të krishterët objektivat për t’u ndjekur e vlerat për t’u nxitur e mbrojtur pa u lodhur, që të realizohet një bashkëjetesë njerëzore me të vërtetë e lirë dhe solidare”.
Papa falenderoi Fondacionin për ndihmën që i ka dhënë Institutit Papnor për Studimet Arabe dhe Islamistike, i cili kontribuon në dialogun ndërfetar me Islamin.







All the contents on this site are copyrighted ©.