2009-06-12 16:44:53

Irani voton masivisht për zgjedhjen e presidentit


(12.06.2009 RV)RealAudioMP3 Radhë të gjata në qendrat e votimit në Iran, ku 46 milion zgjedhës votuan sot për presidentin e ri të Republikës Islamike. Konservatori i moderuar, Mir Hosein Musavi, që gëzon mbështetjen e reformistëve dhe që mund të përfitojë nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme në votime, denoncoi se disa nga përfaqësuesit e tij nuk janë lejuar të hyjnë në qendrat e votimit. Ka votuar ndërkaq edhe kandidati tjetër i preferuar, presidenti aktual Mahmud Ahmadinexhad. Udhëheqësi suprem, ajatollah Khamenei e ftoi popullsinë të japë prova qetësie. Por, siç po shihet nga pjesëmarrja masive në votime, njerëzit kanë dëshirë të ndalin Ahmadinexhadin. Nëse asnjëri nga pretendentët nuk fiton shumicën, do të shkohet në ballotazh më 19 qershor. Mbi ndryshimet që karakterizojnë dy favoritët, të dëgjojmë korrespondentin e ANSA-s në Teheran, Alberto Xankonato:
Siç dihet, Ahmadinexhadi është i njohur për retorikën dhe për politikën e tij pa lëshime në punët e jashtme. Ndërsa Musavi mendon se Irani ka nevojë ta ulë tensionin me vendet e tjera, në fushën e armatimit bërthamor; dëshiron të vazhdojë bisedimet me grupin “5 plus 1”, pra me fuqitë e mëdha, megjithëse edhe vetë Musavi thotë se Republika Islamike nuk mund të heqë dorë nga programi i saj atomik.
Kjo në fushën ndërkombëtare. Po përsa i përket aspiratave të iranianëve, a ndryshon gjë?
Ndryshon sigurisht! Shikojmë rritjen e mbështetjes për Musavin, i cili e ka sulmuar Ahmadinexhadin pikërisht në politikën ekonomike. Një gjendje e rënduar kjo, sipas Musavit dhe kandidatëve të tjerë, për shkak të izolimit ndërkombëtar në të cilin e ka lënë vendin politika e Ahmadinexhadit.







All the contents on this site are copyrighted ©.