2009-06-11 14:08:42

Racizmi, në qendër të vëmendjes së Këshillit Botëror të Kishave.


(11.06.2009 RV)Nga 14 deri më 17 qershorin e ardhshëm, në Doorn të Vendeve të Ulëta, do të mblidhet Këshilli Botëror i Kishave, për “Të promovuar integrimin, si përgjigje teologjike dhe etike kundër racizmit”. Përfaqësuesit e më se pesëdhjetë bashkësive kishtare do të shkëmbejnë mendime që të gjejnë strategjitë e përbashkëta, në përpjekjen për t’iu kundërvënë prirjes së përjashtimit të pakicave nga jeta shoqërore e politike, në vende të ndryshme të botës. Nisma përkon me 40-vjetorin e Konferencës së Notting Hillit, në të cilën u hartua programi i Këshillit për të luftuar kundër racizmit kudo në botë. Ky program dha, ndërmjet tjerash, një kontribut të shquar për zhdukjen e aparteidit në Jug të Afrikës e vijon t’i ndihmojë instancat e popullsive të shtypura në kombe të tjera, si India, lidhur me çështjen e ‘dalitëve’, më të fundmëve në sistemin e kastave, mbi bazën e të cilit organizohet jeta e shoqërisë indiane.
Konferenca – shpjegon sekretari i përgjithshëm i Këshillit në Vendet e Ulëta, i nderuari Klaas van der Kamp - ka qëllim të përcaktojë strategji ‘më të fuqishme se forca ushtarake’, në mënyrë që ta ndryshojë gjendjen e pakicave në vende të ndryshme. Jemi të vetëdijshëm - kujton van der Kamp – se lufta kundër racizmit duhet të vazhdojë. Edhe në një komb liberal e tolerant, si Vendet e Ulëta, ku vetëm gjatë vitit 2007 janë shënuar 4. 247 padi nga ana e njerëzve, që kanë pësuar akte intolerance. Ndërsa globalizimi – pohon - i nxit popujt e tokës të lidhin miqësi gjithnjë më të ngushta, disa forma të përjashtimit shoqëror, me ngjyrim të lashtë e modern, duket se janë ende aktive në gjirin e shoqërisë. Prandaj – shtohet – Këshilli e shikon të nevojshme që bashkësitë kishtare ta ngrenë përsëri zërin për paqen, drejtësinë e respektin.
Për këtë qëllim, në përfundim të Konferencës – saktëson gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, që e jep lajmin e ngjarjes – do të botohet një mesazh për të ripohuar impenjimin e solidaritetit të organizmit ekumenik.
Në përfundim të takimit do të jetë e pranishme edhe mbretëresha Beatriçe e Vendeve të Ulëta. Ndërsa Konferenca do të paraprihet nga një kremtim fetar në Kishën e Shën Martinit, ku do të flasë sekretari i Këshillit Botëror të Kishave, Samuel Kobia.







All the contents on this site are copyrighted ©.