2009-06-11 13:50:40

Presidenti i Shqipërisë, Topi, vlerëson sot zgjedhjet e 28 qershorit si test për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.


(11.6.2009 RV)Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, vlerësoi sot zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit si një test për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë që kanë zgjedhjet me standarde në proceset integruese të Shqipërisë.
Presidenti Topi foli edhe për rolin e rëndësishëm të Kolegjit Zgjedhor në garantimin e zgjedhjeve, duke kërkuar nga anëtarët e Kolegjit, respektimin me rigorozitet të Kushtetutës së vendit.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit të Shqipërisë u bëri apel qytetarëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre si një indikator të rëndësishëm të demokracisë. Presidenti Topi ftoi shtetasit, që ende nuk janë pajisur me letërnjoftimin elektronik, të paraqiten sa më parë në sportelet e aplikimit dhe të realizojnë procedurat e nevojshme për të pasur dokumentin e ri të identifikimit.
Gjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë zgjodhën me unanimitet drejtoreshën e re të Shkollës së Magjistraturës, Marjana Semini.







All the contents on this site are copyrighted ©.