2009-06-11 18:41:28

Nesër Irani voton për presidentin e ri


(11.06.2009 RV)RealAudioMP3 Prag zgjedhjesh në Iran, ku nesër popullsia duhet të caktojë presidentin e ri të vendit. Orët e fundit të fushatës zgjedhore u karakterizuan nga rritja e tensionit, pas letrës së ish-presidentit Rafsanjani drejtuar udhëheqësit suprem, ajatollahut Kamenei, ku kërkohen zgjedhje “të pastra” e ku Rafsanjani ankohet për “heshtjen” e ajatollahut para akuzave të korrupsionit, që presidenti aktual Ahmadinexhad i ka bërë atij. Sot paradite, Rafsanjani dhe Khamenei patën një takim pikërisht për këtë argument. Dy kandidatët më të preferuar për presidencën e Iranit janë Ahmadinexhad, i mbështetur nga ajtollah Khamenei, dhe Musavi, ish-kryeministër, i mbështetur nga ish-presidenti Rafsanjani. Të dëgjojmë komentin e korrespondentit të agjensisë italiane ANSA në Teheran, Alberto Xakonato:
Me siguri do të jetë një sfidë me dy persona, pasi kandidatët më të vegjël – si Karrubi, që është reformist, dhe Rizai, që është konservator i pavarur, ish komandant i Pasdaranëve – nuk duket se kanë shanse të mëdha. Në këtë moment, i preferuari duket presidenti aktual Ahmadinexhad, që kandidohet për mandatin e dytë, si edhe ish-kryeministri Musavi, që deklarohet konservator i moderuar, por praktikisht, është njeriu i konsensusit të konservatorëve që kritikojnë Ahmadinexhadin me reformistët e ish-presidentit Katami. Do të sfidojë Ahmadinexhadin për ta penguar të qeverisë edhe katër vjet të tjera.
Çfarë propozon Musavi në krahasim me Ahmadinexhadin?
Propozimet e Musavit janë pak si të vagëllta. Fushata elektorale e tij u bazua kryesisht mbi sulmet kundër Ahmadinexhadit, kundër politikës dhe retorikës së tij në nivelin ndërkombëtar për programin bërthamor, Izraelin e SHBA-të. U bazua edhe mbi sulmet që kanë të bëjnë me gjendjen ekonomike të Iranit: Republika Islamike, në këtë moment, ka një inflacion prej 25% e një papunësi, që sipas të dhënave zyrtare, arrin në 12,5%, por sipas vëzhguesve, është edhe më e lartë. Kjo gjendje, sipas kundërshtarëve të Ahmadinexhadit, është shkaktuar nga politika e presidentit, që në vitet e kaluara i ka shpenzuar keq fitimet nga shitja e naftës. Musavi propozon uljen e tensionit me Perëndimin, që do të ketë pasoja pozitive edhe nga pikpamja ekonomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.