Lideri i Libisë, Gedafi në Romë. Manifestime e polemika.
(11.06.2009 RV)Protesta e manifestime
kanë shoqëruar vizitën e liderit libik, Muhamar Gedafi në Romë. Sot, ai mbajti një
fjalim në Pallatin Gjustiniani të Senatit e në Universitetin “La Sapienza”, ku protestat
e studentëve nuk munguan. Aty i dhanë diplomën “honoris causa” në jurisprudenzë. Është
vizita e parë zyrtare e Gedafit në Itali, pasi qeveria e Berluskonit i kërkoi falje
Libisë për krimet e kryera gjatë kolonizimit fashist të vendit në vitet 1911-1943
e pas 5 miliard dollarëve, që Roma do t’i paguajë Tripolit në 20 vjet. Në këmbim,
Gedafi ka nënshkruar marrëveshjen për patrullimin e brigjeve libike, në mënyrë që
të mos nisen emigrantë klandestinë për në Itali. Kjo e fundit merr një të katërtën
e naftës që i duhet pikërisht nga Libia. Fjalimet e Gedafit në Romë kanë pa dyshim
shijen e kompromisit me një diktator, të cilit i lejohet të flasë edhe kundër parimeve
të demokracisë, për hir të interesave.