2009-06-11 11:56:00

Festa e Korpit të Krishtit, Mister i Eukaristisë.


(11.6.2009 RV)Corpus Domini – solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit është festa e Eukaristisë, Sakrament në të cilin Jezusi na la kujtimin e gjallë të Pashkëve të Tij, ngjarje qendrore në historinë e njerëzimit. Është diçka e bukur që në këtë festë besimtarët shtrëngohen rreth të Shenjtnueshmit Sakrament për ta adhuruar, e shoqërojnë me procesion nëpër rrugë, shprehin, me shumë shenja devocionin, fenë në Krishtin e gjallë dhe gëzimin për praninë e Tij në mes tyre.
Duke e kundruar vazhdimisht fytyrën e Fjalës së Mishëruar, që është realisht i pranishëm në Sakrament, të krishterët mund të ushtrohen në artin e lutjes dhe të impenjohen ta jetojnë jetën e krishterë në atë masë të lartë, që është kusht i domosdoshëm për të zhvilluar me sukses ungjillëzimin e ri. Eukaristia është në qendër të jetës së Kishës. Në të Krishti i dhurohet Atit për ne, duke na bërë pjesëtarë të vetë flijimit të vet, e ne na dhurohet si bukë e jetës për të na mbështetur në shtegtimin tonë nëpër rrugët e botës.
Simbolet themelore të kremtimit janë Korpi e Gjaku i Krishtit, që Zoti ia dhuroi të vetëve të Enjten e Madhe, para se të largohej nga Çenakulli për në Malin e Ullinjve. Na çojnë në atmosferën intime të Pashkëve të izraelitëve, në kujtim të Pashkëve të para, kremtuar në Egjipt. E pikërisht në një natë të tillë Jezusi del e dorëzohet në duart e tradhtarit: Fiton kështu mbi natën, fiton mbi errësirën e së keqes. Vetëm kështu përmbushet dhurata e Eukaristisë, e themeluar në Çenakull. Jezusi dhuron vërtetë Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, manë e vërtetë, ushqim i pashtershëm për të gjithë shekujt. Korpi bëhet bukë e jetës.
Simbolik është edhe procesioni i së Enjtes së Madhe, kur Kisha e shoqëron Jezusin në Malin e Ullinjve për të mos e lënë vetëm në natën e botës, në natën e tradhtisë, në natën e indiferencës së shumëkujt. Në festën e Corpus Domini e bëjmë përsëri këtë procesion, por tani me gëzimin e Ringjalljes, sepse Zoti është i gjallë e na prin, ashtu siç u pati prirë apostujve në Galilé. Dy mijë vjet më parë, në sa u printe në dy drejtime, Jezu Krishti u dha nxënësve të vet dy mandate kryesore: “Shkoni e mësojini të gjithë popujt” – dhe - “Mos më ndaloni, sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati”. E Jezusi na prin pikërisht drejt Atit, ngjitet në lartësinë e Hyjit e na fton ta ndjekim, sepse caku i vërtetë i shtegtimit tonë është bashkimi me Zotin, i cili vijon të na ftojë të ecim nëpër rrugët e botës duke ua çuar Ungjillin të gjithë popujve e duke ua dhuruar dashurinë e tij njerëzve të të gjitha kohërave.
Kështu të dy procesionet, ai i Udhës së Kryqit dhe ky i Corpus Domini, na kujtojnë të njëjtën thirrje: “Çojeni Ungjillin deri në kufijtë më të largët të botës”.
Eukaristia, themeluar nga Jezusi në familjen e tij të re, të përbërë nga Dymbëdhjetë Apostujt, është Sakrament intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “Sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”. E Shën Pali, duke iu drejtuar Korintianëve, na kujton: “Secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky Kelk!”. Megjithëse Eukaristia ka karakter familjar, forca e saj shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, drejt botës. Ky aspekt universal i pranisë Eukaristike bëhet i dukshëm në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit, sepse Kisha e çon Krishtin, të pranishëm në trajtën e bukës, nëpër rrugët e qytetit. Ia beson këto rrugë, këto shtëpia – jetën tonë të përditshme – mirësisë së Tij.
Qofshin rrugët tona – rrugët e Jezusit! Shtëpitë tona qofshin për Të e me Të. Jeta jonë e përditshme u përshkoftë nga prania e Tij. Procesioni është bekim i madh për rrugët e botës, sepse përmes tij Kisha vë para syve të Zotit vuajtjet e të sëmurëve, vetminë e të rinjve e të pleqve, tundimet, frikën – gjithë jetën njerëzore. Kujtojmë sot edhe mandatin e Krishtit: “Merrni e hani!” e simbolin e bukës, përmes së cilës bashkohemi me Jezusin, e lemë veten të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shpërblyes. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi e procesioni bëhen pjesë e gjestit të vetëm të bashkimit me Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.