Eukaristia na bën të aftë të jetojmë besnikërisht në bashkim me Zotin, kështu tha
Papa në homelinë e Solemnitetit të Korpit të Krishtit kremtuar sot në Vatikan.
(11.06.2009 RV)Papa Benedikti XVI sot
në ora 19, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran në Romë, kremtoi Meshën Shenjte
në solemnitetin e Korpit të Krishtit, në mbrabim të së cilës pasoi procesioni tradicional
përgjatë udhës Merulana nga Bazilika e Lateranit deri tek Bazilika e Shën Marisë së
Madhe. Ky procesion eukaristik i udhëhequr nga Ati Shenjtë Racinger, me pjesëmarrje
të qindra besimtarëve romakë e të ardhur prej vendeve të ndryshme, posa ka përfunduar
pikërisht në këto momente që kemi filluar programin në gjuhën shqipe. Po kujtojmë
se solemniteti i sotëm liturgjik i Korpit të Krishtit, për arsyena baritore , pra
për të mundësuar pjesëmarrjen e besimtarëve në Meshë, gati në të gjitha Kishat e botës
e kështu edhe në ato të trevave shqiptare, do të kremtohet këtë të diele më datën
14 qershor. Po t’i kthehemi Meshës solemne të kremtuar nga Benedikti XVI në Bazilikën
e Shën Gjonit në Lateran të Romës. Gjatë homelisë së Meshës, Ati i Shenjtë u ndal
tek kuptimi dhe historiku i solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit. Eukaristia
është takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë me Hyjin përmes flijimit
shpëtimprurës të Jezu Krishtit, tha Papa. Kremtimi eukaristik i solemnitetit
të Korpit të Krishtit na çon në Çenakull, ku Jezusi e themeloi Eukaristinë e gjatë
Darkës së Mbrame, gjatës së cilës Ai bashkë me nxënësit e vet lidhi besëlidhjen e
re, besëlidhje e vulosur jo me flijimin e kafshëve siç ndodhte në të kaluarën, por
me gjakun e vet, që u bë “gjaku i besëlidhjes së re”. Papa “Eukaristia, duke
përtëri flijimin e Kryqit, na bënë të aftë të jetojmë besnikërisht në bashkim me Hyjin.
Të ushqyer me Krishtin, ne, nxënësit e tij, marrim misionin për të qenë “shpirti”
i këtij qyteti tonë, tharmë i ripërtëritjes, bukë e “ndarë” për të gjithë, sidomos
për ata që gjenden në situata të vështira të varfërisë e vuajtjes fizike dhe shpirtërore.
Bëhemi dëshmitarë të dashurisë së tij”. Në vijim të homelisë, Papa Benedikti
XVI iu drejtua meshtarëve, të cilët Krishti i ka zgjedhur për të jetuar bashkë me
Të për shpëtimin e botës, e këndej i porositi me këto fjalë: “ Vetëm nga bashkimi
me Jezusin mund të nxjerrni atë begati shpirtërore që është burim shprese në misionin
tuaj baritor. Kujton Shën Leoni Madh se “pjesëmarrja jonë në korpin e gjakun e Krishtin
nuk ka tjetër synim përveç se të na bëjë atë që marrim”. Nëse kjo është e vërtetë
për çdo të krishterë, është edhe më tepër për ne meshtarët. Të jemi Eukaristi!" Në
vazhdim Papa u bëri thirrje meshtarëve të jenë dëshmitarë besnik e të besueshëm të
Krishtit Zot e Shpëtimtar para njerëzve që kërkojnë domethënien e jetës. E pikërisht
kjo le të jetë dëshirë e impenjim i përhershëm i meshtarëve, në mënyrë që flija e
korpit dhe e gjakut që ofrohen mbi elter, të shoqërohen edhe me flijimin e jetës së
tyre për të mirën e njerëzve: “Çdo ditë, nga Korpi e Gjaku i Krishtit Zot marrim
atë dashuri të lirë e të pastër që na bënë mbarështues të denjë të Krishtit e dëshmitarë
të gëzimit të tij. Është kjo ajo që besimtarët presin prej meshtarëve: shembullin
e një devocioni të vërtetë për Eukaristinë, një lidhje të pashkëputur adhurimi para
Jezu Krishtit në të Shenjtënueshmin Sakrament të Eukaristisë, sikur bënte Prifti
i Arsit, Shën Gjoni Vianej”. Këtu Papa në homelinë e tij nënvizoi vlerën e
paçmueshme të trashëgimisë së përhershme dhe të gjallë që na la Krishti në Sakramentin
e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht
me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme,
të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme”. Pastaj Ati i Shenjtë Jozef Racinger u ndal
tek rëndësia e uratës dhe Eukaristia në jetën e çdo besimtari dhe tha: “Me Eukaristi
pra qielli vjen mbi tokë, e nesërmja e Hyji ulet në të sotmen tonë e koha bëhët si
e përqafuar nga hyjnia e amshuar”. Pas Meshës së solemnitetit të Korpit të
Krishtit, Ati i Shenjtë i prini procesioni eukaristik të besimtarëve romakë që përshkuan
rrugën Merulana nga Laterani deri tek bazilika e Shën Marisë së Madhe.