Thirrja e ipeshkvijve evropianë për qeveritë e kontinentit: të mbrohen të varfërit
nga kriza. Intervistë me kardinalin Peter Erdë
(10.06.2009 RV)Kriza ekonomike
botërore kërkon realizëm dhe besim. Kjo është bindja e ipeshkvijve evropianë, e shprehur
në komunikatën e sotme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, në përfundim
të takimit të përgjegjësve për çështjet shoqërore, i cili u zhvillua në Zagreb të
Kroacisë. Prelatët e vunë theksin në vëmendjen për të varfërit dhe në mbajtjen e premtimeve
në favor të zhvillimit, të cilat nuk plotësohen nga shumë shtete. Ndër ata që folën
në Zagreb është edhe kardinali kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit, Peter Erdë, president
i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. I kërkuam të na sqarojë vizionin
e ipeshkvijve për krizën ekonomike botërore: Para së gjithash, kemi të bëjmë
me një problem global, prandaj edhe përgjigjia duhet të jetë globale, jo vetëm e një
vendi, apo e një dioqeze e as vetëm e disa vendeve të pasura, por çdo përgjigje duhet
të marrë parasysh krejt njerëzimin. Kjo është një pikë e rëndësishme e vëmendjes sonë.
Pastaj, përpiqemi të sensibilizojmë opinionin publik, të forcojmë bashkëpunimin për
drejtësinë e paqen ndërmjet të gjitha konferencave ipeshkvnore të kontinentit tonë,
ta propozojmë këtë temë edhe në dialogun me Kishat e bashkësitë e tjera të krishtera
të kontinentit, të bëjmë takime të rregullta me ipeshkvijtë përgjegjës për drejtësinë
e paqen. Secila prej konferencave ipeshkvnore sjell përvojën e vet. Për shembull,
në Itali është krijuar një fond për familjet që tani, si pasojë e krizës, e kanë të
vështirë të paguajnë interesat e kredive. Përvoja jonë në Hungari është në nivelin
e famullisë, ku disa persona marrin përsipër të pagujanë çdo muaj një shumë të caktuar
në favor të nevojtarëve, e kështu me radhë. Hirësi, në Zagreb kërkuat që jo
vetëm Kroacia, por edhe vendet kufitare me të të integrohen sa më shpejt në Bashkimin
Evropian… Deri tani akoma nuk ka dalë asnjë deklaratë konkrete se si e kur
do të bëhet kjo. Natyrisht, nëse ekziston një vend që është gati të integrohet në
Bashkimin Evropian, ky është Kroacia, pasi aty me të vërtetë ndihesh në Evropë, në
kuptimin e plotë të fjalës: kultura, por edhe mënyra e jetesës sot është e njëjtë
me vendet e tjera të Bashkimit.