2009-06-10 16:19:22

Sot më 10 qershor përkujtojmë 131 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.


(10.6.2009 RV)RealAudioMP3 Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare mbush më 10 Qershor, 131 vjet nga formimi i saj më 1878. Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.
Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Evropës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shën Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake te saj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjërë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë e organizuar , duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vendin. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi.
Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Europës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës.
Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme "I sëmurii Bosforit" ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit, Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan.
Edhe pse u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.