2009-06-10 17:55:13

Papa në audiencë: feja e arsyeja nuk janë në kundërshtim, kthimi mundëson kuptimin e Shkrimit Shenjt.


(10.06.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI foli përsëri për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes.
Nuk mund të flasim për Zotin, duke u nisur nga hamendjet tona, por vetëm nga ajo që na thotë vetë Zoti për vetveten në Shkrimet Shenjte. Prej këndej fillon edhe detyra për të dalluar drejt autoritetin e vërtetë: këtë këshillonte teologu irlandez Gjon Skot Eriugjeni, që jetoi në shekullin IX, reflektimet e të cilit – tha Papa - na nxisin për thellime interesante, me vlerë edhe për ditët tona. E duhet sqaruar se me fjalën ‘auctoritas vera”- ‘autoritet i vërtetë’, ai kuptonte impenjimin për të vijuar kërkimin e së vërtetës, derisa të arrihet ndonjë farë përvoje e saj, në adhurimin e heshtur të Hyjit.

Sipas studiuesit, autoritet i vërtetë është vetëm ai, që përkon me të vërtetën e zbuluar, përmes forcës së arsyes. Prandaj, autoriteti i vërtetë nuk i kundërvihet kurrë arsyes së drejtë, as kjo e fundit nuk mund t’i kundërvihet autoritetit të vërtetë. Si njëra, ashtu edhe tjetra – sipas mendimtarit të madh irlandez – vijnë nga i njëjti burim, që është dija hyjnore. E kjo mbetet edhe sot rruga e drejtë – vërejti Benedikti XVI - për leximin korrekt të Shkrimit Shenjt:
“Është fjala për të zbuluar kuptimin e fshehur të Shkrimit Shenjt, e kjo hamendëson një ushtrim të posaçëm shpirtëror, falë të cilit arsyeja hap rrugën e sigurtë drejt së vërtetës. Një ushtrim i tillë kërkon gatishmëri të përhershme për t’u kthyer në rrugën e Zotit”.
“Kthimi i zemrës – nënvizoi Benedikti XVI - duhet të ecë krah për krah me analizën korrekte konceptuale të faqes biblike, si të karakterit kozmik, ashtu edhe historik e doktrinor:
“E në të vërtetë, vetëm falë pastrimit të vijueshëm si të syrit të zemrës, ashtu edhe të syrit të mendjes, mund të fitohet aftësia për ta kuptuar saktësisht Shkrimin Shenjt”.
Hyjmë, kështu, në një rrugë të paarritshme e entuziazmuese – shpjegoi Papa – që përbëhet nga fitore të vazhdueshme e relativizime të dijes njerëzore e që e çon krijesën e arsyeshme deri në prag të misterit hyjnor, ku të gjitha nocionet e ndjejnë ligështinë dhe paaftësinë e tyre e, prandaj, me forcën e lirë e të ëmbël të së vërtetës, të imponojnë të shkosh gjithnjë përtej fitoreve, tashmë të arritura”.
Në të vërtetë i gjithë mendimi i Gjon Skotit – shpjegoi Benedikti XVI - është dëshmia më e qartë e përpjekjes për të përshkruar Zotin e papërshkrueshëm, duke u thelluar në pafundësitë e misterit të Fjalës, që u bë njeri në Jezusin e Nazaretit, siç e vë në dukje në një nga shkrimet e tij edhe teologu irlandez, i cili – tha Papa – na prek në thellësitë e zemrës edhe ne, besimtarët e shekullit XXI:
“Ai shkruan: “nuk duhet dëshiruar tjetër, veç gëzimit të së vërtetës, që është Krishti, e as të shmangësh tjetër, veç mungesës së Tij. Kjo duhet parë si i vetmi shkak i trishtimit të plotë e të amshuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.