2009-06-10 17:57:07

Impenjimi i Kishave anglofone në luftën kundër abuzimeve ndaj të miturve


(10.6.2009 RV)RealAudioMP3 Të premten e kaluar kryeipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin dhe ai i Armagut, Shon Brejdi u takuan me Papën Benedikti XVI dhe me gjashtë anëtarë të Kuries Romake për të diskutuar me ta “Raportin Rajan”. Papa, deklaroi më pas imzot Martin, u prek dhe u shqetësua dukshëm kur dëgjoi detajet e raportit, sidomos pjesën ku përshkruhen vuajtjet dhe abuzimet mbi fëmijët. Shenjtëria e Tij theksoi se është koha për një shqyrtim të thellë të jetës së Kishës në Irlandë, këshilloi që të nxirret në dritë çdo abuzim e të sigurohet drejtësia për të gjithë. Kisha, nëse nga njëra anë, duhet të ndihmojë viktimat, nga ana tjetër, duhet të punojë që këto ngjarje të mos përsëriten më.
Shkandulli i abuzimeve seksuale në Kishë është dënuar nga i gjithë katolicizmi. Dalja hapur e Vatikanit dhe e Papës kundër problemit u dha guxim viktimave të denoncojnë akte të paditura dhe Kishës të impenjohet më tej për t’u dhënë fund abuzimeve. Pikërisht mbi këtë argument u fol pikërisht në Konferencën anglofone, e cila nga 1 deri më 5 qershor mblodhi në Vatikan ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e laikë. Kjo temë u bë veçanërisht e rëndësishme pas publikimit të një raporti qeveritar në Irlandë, në të cilin u vunë në dukje abuzimet e kryera që nga vitet ’30 deri në vitet ’90 në shumë institute korrektimi, të financuara nga shteti, por shpesh të administruara nga urdhëra rregulltare katolike.
“Ky takim – tha ipeshkvi i Rapid City, Bleiz Xhei. Kupish, kryetar i Komisionit për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në Konferencën Ipeshkvnore katolike të SHBA-ve – u dha pjesëmarrësve mundësinë të konsultohen me përgjegjësit e Vatikanit, të takohen me ekspertë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve e të marrin përvojë nga konferencat e tjera ipeshkvnore. Jemi të gjithë dakord se duhet një plan, ku të përfshihet parandalimi, mbështetja dhe shërimi. Konferenca anglofone – nënvizoi imzot Kupish, sipas lajmeve të “Catholic Neës Service” – ndihmon personat që punojnë për Kishën të gjejnë mënyrat për të krijuar një ambient, në të cilin të kenë besim ata që kanë pësuar abuzime. Është një çështje njerëzore, një problem njerëzor, megjithëse duke më shumë në vendet e gjuhës angleze, ndoshta sepse komunikimi është më i zhvilluar dhe më i hapur”.
Organizata që grupon Kishat anglofone të impenjuara në luftën kundër fenomenit të abuzimeve quhet “Zyra kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rriturve të pambrojtur”dhe që nga viti 2008 ka si seli Uashingtonin. Takimet, që kanë filluar në vitin 2000, mbahen çdo vit. Këto ditë në Vatikan ishin të pranishëm përfaqësues nga vendet ku flitet anglisht, por edhe nga Italia, Kili e Gana. Takimi, i organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Skoceze, pati si titull “Të shohim përpara – Sfidat që na presin”.
“Fakti pozitiv – deklaroi kryeipeshkvi i Adelaides, Filip Eduard Uilson – është se viktimat dolën në dritë dhe se në pranuam se abuzimet janë pjesë ë historisë sonë dhe se po bëjmë ç’është e mundur për t’u bërë ballë pasojave e për të siguruar një mënyrë të re për marrëdhëniet brenda Kishës”. Programet e Kishës në këtë drejtim po zhvillohen gjithnjë e më tepër.







All the contents on this site are copyrighted ©.