Benedikti XVI për jetëshkrimin e Gjon Skot Eriugjenit.
(10.06.2009 RV)Origjina e mendimtarit të madh të Perëndimit të krishterë, Gjon
Skot Eriugjenit, është e panjohur. Dihet me siguri se ishte nga Irlanda, ku duhet
të ketë lindur aty nga viti 800, por nuk dihet kur u largua nga Ishulli, për të kapërcyer
La Manshin e për të bërë pjesë plotësisht në botën kulturore, që po lindte rreth Karolingëve,
posaçërisht rreth Karlit të Shogët, në Francën e shekullit IX. Ashtu si nuk i dihet
data e lindjes, nuk i njihet as ajo e vdekjes, por sipas studiuesve, duhet të ketë
vdekur rreth vitit 870. Gjon Skot Eriugjeni kishte një kulturë patristike, si
greke, ashtu edhe latine, të klasit të parë, dmth njihte thellësisht etërit e Kishës
së Lindjes e të Perëndimit të krishterë, e, sidomos, ishte njohës i përsosur i mendimit
të Origjenit, të Gregorit të Nisës, të Gjon Gojartit e të Etërve të tjerë të perëndimit
të krishterë, jo më pak të mëdhenj. Vëmendje të veçantë i kushtoi Shën Maksimit Rrëfyes
e, mbi të gjitha, Dionisit Areopagit, shkrimtar kishtar i shekullit V, nga Siria,
që mendohet të ketë qenë dishepull i Shën Palit, për të cilin flitet në ‘Veprat e
Apostujve”. I bindur për karakterin apostolik të shkrimeve të Dionisit, burim i mendimit
të tij, Gjon Skoti i përktheu veprat e Areopagitit në gjuhën latine, gjë që i bëri
të njohura në gjithë botën e krishterë mesjetare. Duhet thënë se puna e Gjon Skotit
nuk pati shumë fat. Veprat e tij u zhyten në harresë jo vetëm për shkak të fundit
të epokës karolinge, por edhe për shkak të cenzurës nga ana e autoriteteve kishtare,
që e lanë krejt në hije figurën e tij madhore. Prej Gjon Skotit arritën deri në ditët
tona disa vepra, ndërmjet të cilave meritojnë të kujtohen traktati “Mbi ndarjen e
natyrës” dhe “ Paraqitje e hjerakisë qiellore, sipas Shën Dionizit”. Sidoqoftë,
ai i përket aradhes së figurave të mëdha që rilindin përsëri në mendimin njerëzor,
edhe pas harresave të gjata.