2009-06-09 17:49:54

Presidenti Topi, vlerëson rolin e shoqatës "Ambasadorët e Paqes" për ndërgjegjësimin e të rinjve në aktivitetet social-kulturore


(09.6.2009 RV-ATSH)Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi dje rolin gati dymbëdhjetëvjeçar të shoqatës "Ambasadorët e Paqes" për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e të rinjve shqiptarë nga të gjitha krahinat e vendit, sidomos nga zonat veriore, në aktivitetet social-kulturore, por dhe njohjen e tyre me aspektet më kryesore shoqërore dhe ekonomike në vend.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Kryetari i Shtetit priti sot, në Pallatin e Brigadave, përfaqësues të shoqatës "Ambasadorët e Paqes". Ai u njoh me disa prej projekteve të veprimtarive dhe nismave të kësaj shoqate, si "Kambana e Paqes, "Ishulli i Paqes", "Shkolla vjen tek unë" si dhe krijimi i rrjetit ndërlidhës me misonarë të paqes në Kosovë.
"Ky është një mision fisnik i njerëzimit, i cili duhet të jetë një qëllim në vetvete edhe për shumë struktura të tjera shtetërore dhe të shoqërisë civile, duke ndihmuar kështu të gjithë së bashku në edukimin dhe formimin e plotë dhe me standarde të brezit të ri, që është mekanizmi më dinamik dhe më shpresëdhënës për zhvillimin e mëtejshëm të vendit".
Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve në këtë takim për çështje të ditës, siç janë problemet sociale në zonat rurale, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve, lufta kundër fenomenit të gjakmarrjes, punësimi, vlerat e vërteta njerëzore, pjesëmarrja dhe roli i brezit të ri në jetën shoqërore, etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.