2009-06-08 17:34:05

Benedikti XVI ipeshkvijve të Venezuelës: situata në vendin tuaj është e vështirë, përballojeni të bashkuar, duke rrënjosur Ungjillin në popull.


(08.06.2009 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvijtë duhet t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë meshtarëve, për t’i ndihmuar që ta kryejnë me vetëmohim shërbimin e t’i pranojnë edhe vërejtjet, kur është nevoja.
Benedikti XVI shqetësohet përsëri për barinjtë e tij, shqetësim që e shprehu edhe një herë sot, në audiencën kolektive me ipeshkvijtë e Venezuelës, në përfundim të vizitës ‘ad Limina’.
Para se t’u drejtonte fjalën 40 prelatëve, mbledhur në Sallën e Konçistorit të Pallatit Apostolik, Benedikti XVI ndoqi analizën e kryetarit të Konferencës ipeshkvnore, imzot Santana Sekuera mbi situatën tejet të vështirë në vend:
“El gobierno actual...
Qeveria aktuale, pa marrë parasysh Kushtetutën dhe opinionet që vijnë nga fusha të ndryshme të vendit, po vë në jetë një projekt politik që quhet “Socializmi i shekullit XXI”, me frymëzim të dukshëm marksist. Zbatimi i tij, në vijim e sipër, po e përçan ndjeshëm popullsinë, duke krijuar kështu atmosferën e urrejtjes e të dhunës”.
Benedikti XVI u përgjigj duke u dhënë zemër ipeshkvijve e duke vlerësuar impenjimin e tyre për ta përballuar këtë situatë, me mësimet e Ungjillit:
“Aprecio vuestro empeño por irradiar...
I vlerësoj përpjekjet tuaja për të rrezatuar dritën e Ungjillit mbi ngjarjet më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me vendin tuaj, pa interesa të tjera, përveç përhapjes së vlerave të vërteta kristiane, për të lehtësuar kështu kërkimin e së mirës së përbashkët, të harmonisë e të stabilitetit shoqëror”.
Më pas, duke nënvizuar nevojën e bashkëpunimit të ngushtë, afektiv e efektiv, ndërmjet barinjve të popullit të Zotit, Papa i porositi ipeshkvijtë të kujdesen në mënyrë të posaçme për meshtarët e tyre. Ata, bashkëpunëtorë të ngushtë të shërbimit ipeshkvnor – shtoi Benedikti XVI – duhet të jenë në qendër të vëmendjes suaj e të trajtohen me ngrohtësi e miqësi vëllazërore. Kjo do t’i ndihmojë – përfundoi Ati i Shenjtë – ta kryejnë me vetëmohim shërbimin meshtarak e, kur është nevoja, t’i pranojnë edhe vërejtet, ashtu si biri pranon qortimet e atit, kur duhet të përmirësohet ose të korrigjohet.
Së fundi Papa Racinger i ftoi ipeshkvijtë t’i dyfishojnë përpjekjet për të inkurajuar zellin baritor ndërmjet meshtarëve, posaçërisht gjatë këtij viti, që është shpallur ‘Vit Meshtarak’.







All the contents on this site are copyrighted ©.