Solemniteti i Trinisë Shenjte na kujton se ‘Zoti është dashuri”.
07.06.2009 RV)“Zoti është dashuri” e vetëm duke hyrë në këtë dashuri, njeriu
gjen të vërtetën e vet e lumturinë e vet. “Zoti është dashuri”; kjo fjalë përmbledh
gjithë zbulesën. E dashuria është gjithnjë mister. Jezusi na e zbuloi misterin e Zotit:
Ai, Biri, na bëri ta njohim Atin që është në Qiell, e na dha Shpirtin Shenjt, dashuri
e Atit dhe e Birit. Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare
të njëllojtë me Atin e Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim
i Perendisë, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin
e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, i cili është i dërguar,
që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Teologjia e krishterë e përmbledh
të vërtetën mbi Zotin me këtë shprehje: Zoti është një i vetëm në tri vetje
hyjnore. Hyu nuk është vetmi, por bashkim i përkryer. Prandaj njeriu, shembëlltyrë
e Zotit, realizohet në dashuri, që është dhurim i sinqertë i vetvetes. Në se Zoti
është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja
e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne kemi tepër nevojë për
Të. Eukaristia na thotë se jetën mund ta gjejmë vetëm duke e dhuruar e jo duke e
përvetësuar. E megjithatë njeriu e kërkon këtë lloj jete, ashtu si djali plangprishës:
dëshiron të jetë plotësisht i lirë. Në këtë këndvështrim të jesh i lirë do të thotë
të bësh gjithçka dëshiron; të mos pranosh asnjë kriter jashtë vetvetes e mbi vetveten.
Do të thotë të ndjekësh vetëm dëshirat e vullnetin vetjak. Kush jeton kështu, shumë
shpejt do të ndeshet me tjetrin, i cili dëshiron të jetojë në të njëjtën mënyrë. Pasoja
e natyrshme e këtij konceptimi egoistik të lirisë është dhuna, shkatërrimi i anasjelltë
i lirisë dhe i jetës. Por të duash, do të thotë edhe të jesh gati për të vuajtur.
Dashuria e vërtetë është kërkuese. Prandaj ka njerëz që e refuzojnë krishtërimin:
sepse nuk e pranojnë misterin e Kryqit. Kryqi është dashuri që nuk njeh kufi, që nuk
ndalohet përballë shkandullit të vuajtjes e të flijimit të vetvetes. E pikërisht në
Eukaristi takojmë Zotin që zhvishet për ne nga lumnia e tij hyjnore, e lë veten të
poshtërohet deri në vdekjen në kryq e kështu i dhurohet secilit prej nesh. Të
duash do të thotë ta dhurosh jetën e jo ta marrësh. Pikërisht kështu fitojmë përvojën
e lirisë. Fitojmë lirinë nga vetvetja, hapësirën e qenies. E, në dritën e misterit
të Pashkëve, na zbulohet plotësisht qëndra e gjithësisë dhe e historisë : Zoti, një
i vetëm në tri Vetje, Dashuri e amshuar, e pamasë. Misteri i Trinisë Shenjte e
kapërcen çdo arsye, pa e kundërshtuar, e vijon të na kujtojë se “Zoti është dashuri”:
nuk është vetmi, por bashkim i përsosur. Prandaj çdo njeri “shembëlltyrë e Zotit”,
realizohet në dashuri. E ky është edhe kuptimi i solemnitetit të të Shenjtnueshmes
Trini, që Kisha e kremtoi sot.