2009-06-06 15:30:42

Lumnimi i Rafael Rafiringës, rregulltari i parë lasalian në Madagaskar.


(06.06. 2009 RV)RealAudioMP3 Nga pagan në figurë të mrekullueshme të krishterimit, që si laik i shuguruar mbajti gjallë Kishën e Madagaskarit në mungesë të meshtarëve. Kjo është sinteza e jetës së Rafael Rafiringës, rregulltari i parë i lasalianëve në ishullin afrikan. Nesër, në emër të Papës, kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, do të kremtojë ritin e lumnimit të tij. Ceremonia do të zhvillohet në kryeqytetin e Madagaskarit, Antananarivo, qyteti i origjinës së të Lumit të ri, i cili lindi aty në vitin 1856. Vetë imzot Amato e përshkruan në mikrofonin tonë:
Dhjetë vjeç pa për herë të parë tri njerëz të veshur me të zeza, me lëkurë të bardhë, që i tërhoqën vëmendjen. Ndoshta ishin tri magjistarë të rinj? Jo, ishin Vëllezërit e shkollave të krishtera, që kishin ardhur për edukimin e të rinjve e që kishin mësuar edhe gjuhën malgashe. Një ditë, Firinga dhe shokët e tij shkuan të shihnin ç’bëhej. I bënë përshtypje dy kuadro në mur: i pari pasqyronte Familjen e Shenjtë; i dyti, Jezusin mbi kryq. Brenda në klasë, një nga ata magjistarët e bardhë po u shpjegonte diçka nxënësve. U kthye në shtëpi dhe i kërkoi të atit të shkonte në shkollë. Kërkoi të pagëzohej kur ishte 14 vjeç e meqë kremtimi u bë më 24 tetor 1879, festë e kryengjëllit Rafael, iu dha ky emër. Më pas iu shtua “Ra” (zotëri) emrit të tij afrikan Firinga, duke u bërë kështu Rafael Rafiringa.
Njëzet vjeç, kërkoi të bëhej fratel i shkollave të krishtera, si mësuesit e tij, e dy vjet më vonë, u shugurua si Fratel Rafael-Luigj Rafiringa. Për çështje politike e për një lloj zilie ndaj katolikëve nga të krishterët e tjerë të ishullit, francezët dëbohen nga Madagaskari. Mbeten vetëm fratel Rafaeli dhe disa murgesha malgashe. Ndërmjet tij dhe motër Vitore Rasoamanarico krijohet në aleancë e shenjtë, që sjell fryte të pashpresuara. U bë president i Bashkimit Katolik dhe megjithëse nuk mund të thoshte meshë, punoi aq mirë e aq shumë, saqë kur francezët u kthyen, pas tri vjetësh, e gjetën bashkësinë katolike të rritur e të fortë në fe. Në vitin 1889 Rafael Rafiringa mori kushtet e përjetshme. E futën edhe në burg duke e akuzuar si anëtar të një shoqërie sekrete ultranacionaliste, por procesi përfundoi me gjykatësin që i kërkonte falje për shqetësimin. U sëmur rëndë e vdiq 63 vjeçar, më 19 maj 1919. Një katekist është shëruar mrekullisht nga paraliza me ndërhyrjen e tij.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.