2009-06-05 18:20:13

Kryeipeshkvi Mauro Piaçenca shpjegon, në Radion e Vatikanit, rolin e kompetencave të reja, që i jep Papa Kongregatës për Klerin.


(05.06.2009 RV)RealAudioMP3 Këto ditë, disa organe të shtypit, kanë dhënë informacione e kanë komentuar një Letër të Kongregatës për Klerin, drejtuar nuncëve apostolikë për t’ua njoftuar ipeshkvijve dioqezanë, lidhur me kompetencat e reja që i ka dhënë Papa Kongregatës më 30 janarin e kaluar. Nuk është revolucion në disiplinën kishtare për klerin, por direktivë për disa kërkesa të veçanta baritore, që duhet të përballojnë ipeshkvijtë në drejtimin e dioqezave të tyre, lidhur kryesisht me klerin. Pikërisht për këto kompetenca, Radio Vatikani intervistoi sekretarin e Kongregatës për Klerin, imzot Mauro Piaçenca:

Pyetje: - Imzot Piaçenca, është folur shumë këto ditë për kompetencat e reja, që i ka dhënë Papa Kongregatës për Klerin. Ç’mund të na thoni, konkretisht, për këto kompeteca?

Përgjigje: - Nuk është thjeshtëzim i procedurave, ose procedurë e thjeshtëzuar, por mjet juridik në vazhdimësi e koherencë me të drejtën kanonike në fuqi. Aq më pak është procedurë, që zbatohet automatikisht, sepse ka të bëjë vetëm me disa raste, të cilat duhen njohur hollësisht, për t’iu nënshtruar, pastaj, gjykimit të Selisë Apostolike. Të drejtat e detyrat e ipeshkvijve në ushtrimin e funksionit gjyqësor mbeten të pandryshuara. Ipeshkvi duhet t’i ndjekë gjithnjë me vëmendje të madhe meshtarët në kryerjen me besnikëri të detyrës së tyre, por njëkohësisht edhe t’ua mbrojë të drejtat. Shumica e meshtarëve e kryejnë qetësisht e pa shqetësime misionin e përditshëm. Por, në disa raste të veçanta, Selia e Shenjtë ndërhyn, duke dhënë ndihmesën e vet, për të shmangur shkandujt, për të rivendosur drejtësinë e për të korregjuar fajtorin.

 
Pyetje: - Praktikisht, me se kanë të bëjnë këto kompetenca të posaçme?

Përgjigje: - Duhet thënë se nganjëherë, për fat të keq, mund të ndodhemi edhe para situatave të shkeljeve të rënda të dispilinës nga ana e klerit, të cilat nuk mund të kapërcehen aq lehtë e mund të krijojnë rrezikun e shkandullimit të besimtarëve, në dëm të së mirës së përbashkët. Në përpjekjen për t’i shëruar shpirtërat, që është ligji më i lartë i Kishës, në datën 30 janar, Papa i dha Kongregatës për Klerin disa kompetenca të veçanta. Nuk duhet harruar se kompetenca të veçanta u janë dhënë më përpara edhe Dikastereve të tjera. Para së gjithash, i jepet kompetenca për të trajtuar rastet e heqjes dorë nga gjendja klerikale “in poenam”, me shkarkimin nga të gjitha detyrimet, që kanë të bëjnë me shugurimin, të klerikëve, të cilët janë martuar, edhe pse vetëm me kurorë civile e që, ndonëse janë qortuar, vijojnë jetën e parregullt e shkandulluese; po ashtu edhe për klerikët, që kanë bërë mëkate të rënda kundër Urdhërimit të gjashtë. Pastaj kompetenca e ndërhyrjes për të dhënë dënime të drejta ose pendesë, në raste të shkeljes së jashtme të ligjit hyjnor ose kanonik. Në raste vërtetë të jashtëzakonshme e urgjente, kur mungon vullneti i fajtorit për t’u ndrequr, mund të merren masa deri në shkarkimin nga gjendja klerikale, kur këtë e kërkojnë rrethanat e veçanta. Natyrisht çdo rast duhet ndjekur nga afër përmes një procedimi administrativ, duke garantuar gjithnjë edhe të drejtën për t’u mbrojtur. Së fundi, është kompetenca e posaçme për të deklaruar humbjen e gjendjes klerikale të meshtarëve, që e kanë braktisur shërbimin për një periudhë më të gjatë se pesë vjet e që vijojnë të mungojnë në detyrë, vullnetarisht e në mënyrë të paligjshme. Nuk ka asgjë automatike e gjithçka vlerësohet rast për rast e gjithnjë në raste kur kemi të bëjmë me shkelje të rënda. Askush nuk duhet të mendojë cektësisht për një lloj thjeshtëzimi në një lëndë kaq delikate. Kurrfarë automatizmi, pra, por shoshitje e shoshitje e përpiktë.

Pyetje: - Pra këto kompetenca duhet t’i ndihmojnë meshtarët?
 
Përgjigje: - U arrit në dhënien e këtyre kompetencave me dëshirën që të kontribuojmë për nderimin e misionit e të figurës së meshtarit, në këtë periudhë kur vijon shekullarizimi e kur nuk është aspak e lehtë të mendosh e të veprosh kundër rrymës, për t’i qëndruar besnik identitetit e misionit tënd. Meshtari vepron në vetjen e Krishtit, Krye e Bari i Kishës. Në mes të grigjës, që u besohet, meshtarët janë të thirrur ta bëjnë të pranishëm Krishtin, duke i përngjarë deri në fund. Ja, pra, pse është e nevojshme, madje e domosdoshme, përpjekja për përsosuri morale, që duhet ta ketë çdo zemër vërtet meshtarake, pa u dhënë pas përpjekjeve të lehta për të bërë figurë “engjëllore”, por duke e pasur mirë parasysh strukturën antropologjike njerëzore e cila, e plagosur nga mëkati i rrjedhshëm, kërkon nga meshtari asketizëm të vazhdueshëm, në se dëshiron t’i qëndrojë besnik premtimeve të ditës së Shugurimit e të respektojë të drejtat e pacënueshme të Zotit. E gjithë kjo ka shumë rëndësi edhe për të kuptuar arsyen teologjike të çelibatit meshtarak. Kisha e shikon çelibatin të lidhur ngushtë me shugurimin, përmes të cilit meshtari bëhet shembëlltyrë e Krishtit, Krye e Dhëndërr i Kishës. Prandaj Kisha, në Koncilin II të Vatikanit e në Magjisterin e mëpasëm papnor, ripohon vazhdimisht “vullnetin për ta ruajtur ligjin, që kërkon çelibatin e përhershëm, të zgjedhur me vullnet të lirë, të kandidatëve për shugurim meshtarak në ritin latin. Çelibati meshtarak është dhuratë, të cilën Kisha e ka marrë e dëshiron ta ruajë, e bindur më shumë se kurrë se është pasuri për të e për botën.

Pyetje: - Në përfundim, ç’i uroni meshtarëve?

Përgjigje: - Urimi i kësaj Kongregate është që çdo ipeshkëv ta kryejë detyrën gjithnjë më mirë, me kujdes vërtet atëror e me dashuri baritore, në mënyrë që bashkëpunëtorët e tij, meshtarët, të dinë ta jetojnë disiplinën kishtare, e cila buron nga Doktrina, si dishepuj, me përshpirtëri të ndjerë thellë në shpirt. Është mirë të kujtojmë gjithnjë se përpjekjet e ethshme ‘për të bërë’, nuk vlejnë gjë prej gjëje, pa qenë ‘në Krishtin’, pa u mbështetur në Mëshirën e tij Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.