2009-06-04 17:45:51

Obama në fjalimin nga Universiteti i Kajros propozon fillimin e ri të marrëdhënieve me botën myslimane.


(04.06.2009 RV)Gjatë vizitës së tij në Lindje të Mesme, që synon afrimin e SHBA me vendet myslimane si edhe uljen e tensioneve ndërmjet perëndimit dhe vendeve me shumicë myslimane, presidenti amerikan Obama, mbajti sot paradite një fjalim të rëndesishëm në Universitetin e teologjisë islamike Al -Azhar të Kajros. Fjalimi i Obamës është një ndërhyrje shumë domethënëse si në marrëdhëniet e SHBA-së me botën islamike, si dhe në perspektivën e paqes ndërkombëtare.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti kishte disa muaj që përgatitej për këtë fjalim dhe se për të ishte këshilluar edhe me disa eksponentë myslimanë të Amerikës dhe të vendeve të tjera.
“Kam ardhur këtu të kërkoj një fillim të ri për marrëdhëniet ndërmjet SHBA dhe myslimanëve kudo nëpër botë, e para të bazuar tek interesi dhe respekti i ndërsjellë, dhe e dyta të bazuar tek një e vërtetë, që është se Amerika dhe Islami nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin e nuk kanë nevojë të jenë në garë me njëri-tjetrin. Përkundrazi ata kanë pika të përbashkëta dhe bashkëndajnë parime të përbashkëta si drejtësia dhe progresi, toleranca dhe dinjiteti i të gjitha krijesave njerëzore” tha ndër të tjera presidenti Obama duke folur përpara studentëve të universitetit të Kajros.
Gjatë fjalës së tij presidenti amerikan foli për probleme të mprehta si:
-lufta në Irak dhe në Afganistan;
-marrëdhëniet me Izraelin dhe Palestinezët, për të cilët propozoi formulën dy kombe - dy shtete; -përgjegjësitë që kanë kombet për armët bërthamore; a është e drejtë që sistemi demokratik t’u imponohet të tjerëve;
-liria fetare;
-të drejtat e gruas si edhe tema të lidhura me zhvillimin ekonomik dhe premisat për të.
Takimi i Obamës me kolegun egjiptian Hosni Mubarak qe etapa e parë e takimeve me udhëheqësit e vendeve të Lindjes që i parapriu takimit me studentët e Kajros.
Po sot u bë e ditur se udhëheqësi suprem i revolucionit iranian Ali Khamenei deklaroi se vendet e këtij rajoni i urrejnë thellësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.