2009-06-03 17:39:26

Tragjedia e avionit francez: kremtim ekumenik në Katedralen e Shën Marisë së Parisit.


(03.06.2009 RV)RealAudioMP3 Sipas lajmeve e fundit, janë pikërisht të Avionit të Air France pjesët e gjetura dje në Atlantik. Këtë e konfirmoi ministri brazilian i Mbrojtjes, Nesson Jobim, i cili mbrëmë u takua në një hotel në Rio- de- Zhanejro, me familjarët e disa prej 228 udhëtarëve që gjendeshin në bordin e avionit të zhdukur nga radarët të hënën.
Edhe pjesa më e madhe e forcave të armatosura franceze nuk kanë më asnjë dyshim për origjinën e copave të avionit, të gjetura në Oqean. Ky pohim u deklarua në Paris, nga burimet zyrtare, të cilat shtojnë gjithsesi "se nuk ka asnjë dyshim, ndonëse është ende e nevojshme të bëhet konfirmimi formal". Prandaj autoritetet franceze nisën sot hetimet zyrtare, për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Kujtojmë se dje Benedikti XVI u shprehu afërsinë e tij personale familjarëve të viktimave, ndërsa kryetari i Konferencës ipeshkvnore franceze, kryeipeshkvi i Parisit, Andre Vënt-Trua, i ftoi meshtarët t’i kujtojnë të vdekurit gjatë kremtimit të liturgjisë. E sot pasdite, duke nisur nga ora 16.00, në Katedralen e Shën Marisë së Parisit, u mbajt një kremtim ekumenik për shpirtin e 228 njerëzve, me fe e kombësi të ndryshme, që humbën jetën në thellësitë e Oqeanit. I pranishëm edhe presidenti Sarkozi.

Ndërkaq, në Brazil shpallen 3 ditë zije kombëtare, në kujtim të 228 viktimave të tragjedisë ajrore. Ministri brazilian i mbrojtjes Jobim, siguron se pjesët e gjetura në largësi 1000 km nga brigjet brasiliane, janë ato që kërkoheshin. Sipas listës së shpërndarë nga Air France, në bord kishte 216 pasagjerë të 32 kombësive të ndryshme, mes të cilëve 61 francezë, 59 brazilianë, 26 gjermanë, 10 italianë. 12 të tjerët ishin pjesë e ekuipazhit, prej të cilëve 11 ishin francezë dhe 1 brazilian.







All the contents on this site are copyrighted ©.