2009-06-03 17:41:09

Thirrje e “Nismës së krishterë për Evropën”: merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme.


(03.06.2009 RV)RealAudioMP3 Prag zgjedhjesh evropiane në Vendet e Ulta dhe në Britaninë e Madhe. Votimet, që do të përfundojnë të dielën, më 7 qershor, do të rinovojnë parlamentin e Strasburgut. 375 milion zgjedhës do të caktojnë 736 deputetët e 5 viteve të ardhshme. Me këtë rast, Nisma e krishterë për Evropën (Ixe), një grupim shoqatash e lëvizjesh nga 13 vende evropiane, u ka bërë thirrje të krishterëve të marrin pjesë masivisht në votime. Është për t’u shënuar, se gjatë viteve të kaluara, evropianët i kanë braktisur gjithnjë e më shumë kutitë e votimit për Bashkimin Evropian, duke treguar se nuk kanë fort besim në institucionet e Brukselit. Si mund të ringjallet interesi për këto institucione? Të dëgjojmë Luka Jahir, përgjegjës ndërkombëtar i ACLI-it, Shoqatës së punëtorëve katolikë italianë, anëtare e Nismës:
Duhet të dilet nga rrethi i veçantë personal, të kuptohet se jemi pjesë e një bote më të ndërlikuar, për të cilën duhet të informohemi e në të cilën duhet të marrim pjesë. Duhet të pranojmë se përmasa evropiane është sot thelbësore për jetën konkrete të familjeve, të ndërmarrjeve, të bashkësive tona. 70-80% e ligjeve kombëtare, tashmë janë drejtpërdrejt të lidhura me ligjet evropiane, janë zbatim i tyre. Pastaj, duhet të vendosim të luajmë një rol aktiv, e sidomos, ta shprehim mendimin tonë përmes votës, duke zgjedhur kandidatë, që kanë treguar se punojnë seriozisht për të mirën e përbashkët të Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.