2009-06-03 18:28:40

Papa në audiencën e përgjithshme: shembulli i një murgu me kulturë të madhe, në shërbim të të gjithëve, pa harruar studimin e kundrimin.


(03.06.2009 RV)RealAudioMP3 Një personalitet vërtetë i jashtëzakonshëm i Lindjes latine: kështu e paraqiti Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, të larë me diell, por edhe të freskuar nga një flllad i lehtë gati pranveror, figurën e Rabano Mauro-s. Murgu, i lindur në Mainc të Gjermanisë, në vitin 780, hyri që në moshë të mitur në manastir, për t’u bërë, më pas, abat i kuvendit të famshëm të Fuldës, kryeipeshkëv i Maincit e këshilltar i urtë i princave, në shoqërinë që asokohe njihej me emrin karolinge. Për vlerën aktuale të mësimeve të tij u foli sot Benedikti XVI besimtarëve, mbledhur nga të katër anët e botës për të ndjekur katekizmin papnor.

Njeri i Kishës, me kulturë të madhe, sipas traditës autor i njërit nga himnet më të bukura e më të njohura të Kishës latine, ‘Veni Creator Spiritus’ ‘Eja, o Shpirt Krijues!”, që u vu në shërbim të shumë njerëzve, duke vijuar edhe studimet. Papa e kujtoi kështu murgun e lashtë, duke nënvizuar:
… dëshmoi me shembullin e jetës së tij se mund të jesh në shërbim të të tjerëve, e njëkohësisht të gjesh kohë edhe për reflektim, për studim e për meditim”.
Rabano Mauro qe ekzegjet, filozof, poet. Benedikti XVI kujtoi se shpesh herë poezia e piktura mbështesin fuqimisht njëra–tjetrën, në përpjekjen për t’i shprehur sa më qartë e kuptueshëm të vërtetat e fesë. E për këtë mjafton të kujtojmë kodikët e Biblës, të pajisur me miniatura mahnitëse. Sot këtë e quajmë metodë multimediale – sqaroi Papa - e në vijim shpjegoi vlerën aktuale të mësimeve të Murgut:
“Kjo dëshmon se Rabano Mauro pati një vetëdije të jashtëzakonshme. Ai e kuptoi se përvoja e fesë fitohet jo vetëm me mend e me zemër, por edhe me shijen etstetike e me ndjenjat, të cilat e ndihmojnë njeriun ta zbulojë të vërtetën me gjithë vetveten: me mend, me shpirt e me trup. E kjo është shumë e rëndësishme: feja nuk është vetëm mendim, por ka të bëjë me gjithë qenien tonë. Me që Hyji u bë njeri me mish e gjak, duke hyrë në botën e prekshme, ne duhet të përpiqemi ta takojmë Zotin me të gjitha përmasat tona njerëzore. Kështu realiteti i Hyjit , përmes fesë, depërton në qenien tonë dhe e shndërron atë”.
Papa nënvizoi në mënyrë të posaçme se Murgu i madh, që jetoi në mesjetën e hershme, u shqua jo vetëm për kulturën e thellë, por edhe për shërbimin e vëmendshëm e të urtë.
Për ta mbështetur këtë mendim, citoi fjalët e tij, drejtuar një korepiskopi, siç quheshin në Kishat lindore katolike ipeshkvijtë ndihmës, që kryenin misionin kryesisht ndër fshatra, në mbështetje të ipeshkvit të qytetit:
Në përfundim të “Letrës së parë” drejtuar një ‘korepiskopi” të dioqezës së Maincit, për shembull, pasi u përgjigjet pyetjeve, duke e sqaruar si duhet të sillet në ushtrimin e detyrës së tij baritore, vijon: “T’i shkruam të gjitha këto ashtu siç i morëm nga Shkrimet Shenjte e nga kanunet e Etërve. Por ti, njeri i shenjtë, vendos si të të duket më mirë, çështje për çështje, duke kërkuar ta mprehësh vlerësimin tënd në mënyrë të tillë, që të sigurosh përherë urtinë, sepse ajo është nëna e të gjitha virtyteve”. Vërehet, kështu vazhdimësia e fesë së krishterë, që e ka zanafillën e vet në fjalën e Hyjit; pa harruar se ajo është gjithnjë e gjallë, zhvillohet e shprehet në mënyra të reja, në lidhje të përhershme me gjithë ndërtesën, me gjithë godinën e fesë”.
Një mësim tjetër, gjithnjë themelor e aktual, është ai i kundrimit: kush nuk e vret mendjen për kundrimin – shkruan murgu – heq dorë nga vegimi i dritës së Hyjit. Më pas, jashtë tekstit zyrtar, Papa shtoi:
“Mendoj se Rabano Mauro na i drejton këto fjalë edhe ne sot: në kohën e punës, me ritmet e saj të ethshme, e në kohën e pushimeve, duhet të mos i harrojmë edhe çastet, që i takojnë Zotit. Duhet t’ia hapim portat e jetës, duke i drejtuar një mendim, një reflektim, një lutje sado të shkurtër. E posaçërisht, nuk duhet ta harrojmë të dielën, Ditën e Zotit, ditën e liturgjisë, për të perceptuar në bukurinë e kishave tona, të muzikës kishtare e të Fjalës së Zotit, vetë bukurinë e Hyjit, e duke e lënë të hyjë në gjithë qenien tonë. Vetëm kështu jeta jonë bëhet vërtetë e madhe, bëhet jetë e vërtetë”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa rikujtoi mësimet e jashtëzakonshme të këtij njeriu të Kishës: “Studimin e vijueshëm, kundrimin e thellë e lutjen e përhershme”. Një mendim të posaçëm, në gjuhën frënge, u drejtoi anëtarëve të Lëvizjes ‘Fe e Jetë’; në anglisht, shtegtarëve të ardhur nga Anglia, Irlanda, Filipinet e SHBA; në spanjisht, lëvizjes ‘Familias en Alianza’; në polonisht, anëtarëve të lëvizjes ‘Dritë-Jetë’, duke u ndaluar edhe tek 30-vjetori i shtegtimit të parë apostolik të Gjon Palit II në atdhe, që do të përkujtohet këto ditë; në italisht, pjesëmarrësve në Kapitullin e përgjithshëm të Dehonianëve, të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve.
Në përfundim u kujtoi të gjithëve se të dielën e ardhshme do të kremtohet solemniteti i së Shenjtnueshmes Trini.







All the contents on this site are copyrighted ©.