2009-06-03 17:39:39

Bin Laden kundër Obamës në Lindjen e Mesme


(03.06.2009 RV)RealAudioMP3 Presidenti amerikan Barak Obama mbërriti sot në Riad të Arabisë Saudite për një vizitë në Lindjen e Mesme, e cila do të arrijë pikën kulmore nesër në Kairo të Egjiptit. Aty, Obama do t’i flasë botës myslimane.
Pikërisht para këtij fjalimi të rëndësishëm, sot kreu i terrorizmit botëror, Osama bin Laden ngre zërin kundër presidentit amerikan, në një mesazh audio të transmetuar nga televizioni arab Al-Zhazira. “Obama ndjek linjën e paraardhësit(Bush) në përbuzjen e në frymën e hakmarrjes kundër myslimanëve”, pohon zëri, që mendohet se është i Osama bin Ladenit. Pastaj vazhdojnë akuza të tjera. Bin Laden i referohet ofensivës ushtarake pakistaneze në Luginën e Suatit dhe e akuzon Obamën se ka shkaktuar emigrimin e një milion myslimanëve nga zona. Si presidenti amerikan, ashtu edhe ai pakistanez janë fajtorë, sipas liderit të terrorit, sepse nuk e kanë lejuar popullsinë të zbatojë ligjin e sharisë, duke shkatërruar e bombarduar vendin. Presidenti pakistanez Zardari akuzohet hapur si tradhtar, në shërbim të amerikanëve.
Ndërkaq, Barak Obama është takuar me mbretin Abdullah të Arabisë Saudite, me të cilin ka folur për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, mbi çështjen e Iranit, krizën financiare botërore dhe çmimin e naftës.







All the contents on this site are copyrighted ©.