2009-06-02 17:49:02

Tema dhe aspirata të Vitit Meshtarak, shpjeguar nga sekretari i Kongregatës për klerin, imzot Mauro Piaçenca


(02.06.2009 RV)RealAudioMP3 Meshtarët janë të rëndësishëm jo për çka bëjnë, por për çka janë e populli i besimtarëve dëshiron t’i shikojë, në punën e tyre apostolike, “të lumtur, të shenjtë e të gëzuar”. Fraza është e kardinalit Klaudio Hjums, prefekt i Kongregatës për Klerin, i cili e ka shkruar në letrën, që u dërgoi disa ditë më parë rreth 400 mijë priftërinjve. Në më pak se dy javë, ata do të kremtojnë, sëbashku me Papën Benedikti XVI, fillimin e Vitit kushtuar meshtarëve. Sekretari i dikasterit vatikanas, kryeipeshkvi Mauro Piaçenca shpjegon në mikrofonin tonë, cilat janë temat dhe aspiratat e këtij viti. Ta dëgjojmë:
Ati i Shenjtë e ka shumë për zemër, siç është e natyrshme, jetën, përshpirtërinë, shenjtërimin dhe misionin e meshtarëve. Vetë asambleja e përgjithshme e Kongregatës për Klerin, në audiencën gjatë së cilës u shpall Viti meshtarak, kishte një titull mjaft domethënës: “Identiteti misionar i meshtarit në Kishë, si përmasë përbërëse e ushtrimit të “tria munera”(tri detyrave të meshtarit: predikimi, shenjtërimi dhe udhëheqja e popullit të Zotit). Prandaj, është urgjente dhe e nevojshme në kohën tonë, të përmenden me besnikëri si për meshtarët, ashtu edhe për popullin e Zotit, bukuria, rëndësia, domosdoshmëria e shërbimit meshtarak të Kishës për shëlbimin e shpirtërave. Ja pra, pse Papa shpalli një vit, që i kushtohet thellimit e rizbulimit të meshtarisë katolike. Lutja për e me meshtarët nuk mund të mos i bëjë mirë krejt misionit të Kishës, që lidhet me identitetin e me veprimtarinë e klerit. Do të kemi laikë dhe ipeshkvij të mirë, vetëm nëse do të kemi meshtarë të mirë. Ja pse të gjithë janë të përfshirë njëfarësoj.
Imzot Piaçenca, cili është imazhi i meshtarit që u propozon Papa njerëzve të sotëm gjatë këtij Viti?
Imazhin e përhershëm – e nuk mund të mos jetë kështu! Është ai, që Kisha e doktrina e pastër e kanë propozuar gjithnjë, e që sintetizohet mrekullisht me figurën ungjillore të Bariut të Mirë: ja ky është imazhi. Fatkeqësisht koha jonë, me ndryshime të mëdha ndërmjet Perëndimit të shekullarizuar dhe relativist dhe anëve të tjera të botës, ku sensi i sakralitetit është akoma shumë i fortë, përjeton disa tundime, që prekin edhe shërbimin meshtarak e që, me ndihmën e këtij Viti, është e nevojshme të korregjohen. Po mendoj për shembull, për tundimin e aktivizmit, karakteristikë jo e pak meshtarëve, të cilët megjithëse shumë bujarë, jo rrallë vënë në rrezik thirrjen e tyre, nëse nuk qëndrojnë të lidhur me atë marrëdhënie jetësore me Krishtin që ushqehet me heshtje, me lutje, me leximin e Fjalës së Hyjit, sidomos me kremtimin e devotshëm të meshës së përditshme e me hapësira për adhurimin e Eukaristisë.
Në këtë botë gjithnjë e më të shekullarizuar dhe individualiste, meshtari, si mund të bëhet shenjë kundërshtie, si të dëshmojë vlerat që nuk vdesin?
Do të thosha, duke u bërë dëshmitar i Absolutit, në mes të gjërave që ikin e shkojnë. Kontradikta e vërtetë sot, nuk është më origjinaliteti i sipërfaqshëm, siç ka ndodhur në të kaluarën, që ngjallte një interes të shkurtër e të vogël për faktet. Prandaj, është e kotë të bëhet demagogji e të imitohen sjelljet e gjërat e kësaj bote. Meshtarët do të jenë shenjë kundërshtie vetëm nësë bëhen shenjt e meshtarë të shenjtë. Të shohim Shën Gjon Maria Vianejin, don Boskon, atë Masimilian Kolben, atë Pion nga Pietrelçina e kështu me radhë.
Si do të përjetohet ky Vit meshtarak?
Viti meshtarak nuk do t’u rezervohet vetëm meshtarëve, por krejt Kisha, në çdo komponente të saj, duhet të rizbulojë madhështinë e dhuratës që Zoti deshi t’i japë me shërbimin meshtarak. Edhe laikët duhet ta kuptojnë se me dhuratën e meshtarisë u lihet atyre freskia e pranisë së Krishtit: jo kujtimi i Krishtit, por prania e tij aktuale. Të mendojmë për zgjidhjen e mëkateve, për kremtimin e Meshës së Shenjtë, për predikimin e kështu me radhë. Ja: në këtë drejtim shkon edhe titulli i zgjedhur nga Ati i Shenjtë për këtë Vit: “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit”. Nuk është një ngjarje spektakolare, por do të përjetohet si rinovim i brendshëm i identitetit meshtarak.
Cilat janë frytet që mund t’i japë Kishës ky Vit meshtarak?
Menjëherë më vjen të them “ato që do Zoti!” Do të jetë një vit për të rizbuluar bukurinë e rëndësinë e meshtarisë, për të sensibilizuar për këtë krejt popullin e Zotit, të shuguruarit, familjet, të vuajturit e sidomos të rinjtë. Kur shpalli Vitin meshtarak, Ati i Shenjtë tha: “Urgjente duket edhe rifitimi i asaj vetëdije që i shtyn meshtarët të jenë të pranishëm, të identifikueshëm e të njohur si për gjykimin me fe, si për virtytet personale, ashtu edhe për veshjen, në fushat e kulturës e të bamirësisë, gjithnjë në zemër të misionit të Kishës”. Prandaj, gjatë Vitit meshtarak do t’i lutemi Shpirtit të Shenjtë edhe për këto fryte.
Imzot Piaçenca, pse gjatë këtij Viti, do të publikohet një doracak për rrëfyesit e për drejtuesit shpirtërorë?
Është jashtë çdo dyshimi se sakramenti i Pajtimit po kalon një krizë të thellë, që prej dhjetra vjetësh. Duket se gjithnjë e më pak njerëz e ndjejnë ndryshimin e qartë ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet së vërtetës e gënjeshtrës, ndërmjet mëkatit e virtytit. Nëse mendon se nuk ke bërë mëkat, vështirë t’i afrohesh rrëfyestores. Nga ana tjetër, për shkak të mungesës së meshtarëve, por edhe për shkak të keqkuptimit të këtij veprimi pastoral, nuk është gjithnjë e lehtë të gjesh meshtarë të gatshëm për të dëgjuar rrëfimet e besimtarëve. Atëherë, ky doracak për rrëfuesit do të ndihmojë në rizbulimin e bukurisë së sakramentit, nga i cili rrjedh dashuria e mëshirshme e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.