2009-06-01 17:42:46

Zhduket një avion i Air France e lajme të tjera


(01.06.2009 RV)Janë 228 persona, pasagjerët e avionit të kompanisë franceze Air France, i cili u zhduk nga radarët sot, pas nisjes nga Rio de Zhaneiro i Brazilit për në Paris. Akoma nuk dihet fati i tij, por shpresat për gjetjen janë të pakta. Në avion edhe 7 fëmijë e një foshnjë.

Koreja e Veriut po përfundon përgatitjet për hedhjen e një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi, e tipit Taepodong-2. Ajo arrin deri në 4 mijë kilometra e mund të godasë Alaskën. Prova do të bëhet brenda 16 qershorit, data në të cilën presidenti amerikan, Barak Obama do të takohet me homologun e tij koreanojugor, Li Mjung-bak.

Kalojmë në Lindjen e Mesme. Shpërthen sërish dhuna ndërmjet organizatës islamike Hamas dhe partisë qeveritare Fatah. Gjashtë palestinezë janë vrarë gjatë ndeshjeve në veri të Çisjordanisë. Bisedimet ndërmjet dy fraksioneve po zhvillohen në Egjipt, i cili ka caktuar 7 korrikun si datën e fundit, brenda së cilës palët duhet të arrijnë një marrëveshje.

Dje, në Osetinë e Jugut u zhvilluan zgjedhjet e para pas luftës me Gjeorgjinë e njohjes së pavarësisë nga ana e Rusisë. Sipas Komisionit Zgjedhor, zgjedhjet janë fituar nga partia filo-qeveritare “Bashkimi” me 46,38% të votave, e ndjekur nga Partia Popullore me 22,58% e nga Partia Komuniste me 22,25%. Me një komunikatë të veçantë, presidenca e Bashkimit Evropian i ka deklaruar këto zgjedhje të paligjshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.