2009-06-01 15:26:32

Për muajin qershor, Papa i porosit besimtarët të luten që vendet më të varfëra të lirohen nga barra e borxhit të jashtëm.


(01.05.2009 RV) RealAudioMP3 “Të lutemi që vëmendja ndërkombëtare ndaj vendeve më të varfëra t’i nxisë të gjithë t’i ndihmojnë më konkretisht, posaçërisht për t’u liruar nga barra e borxhit të jashtëm” – ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Benediktit XVI për muajin qershor. Papa u kërkon të gjithëve më shumë solidaritet ndaj nevojtarëve, posaçërisht në këtë periudhë, kur kriza ekonomike rëndon fort pikërisht mbi njerëzit e ligshtë. Për vlerën e kësaj ftese të Papës drejtuar besimtarëve, flet, në mikrofonin tonë, Sergjio Pareli, drejtor i përgjithshëm i Focsiv (Federata e Organizmave Kristiane të Shërbimit Ndërkombëtar Vullnetar):

Përgjigje: - Mendoj se prej kohe mesazhet e vazhdueshme të papëve, kur afrohen takime të mëdha ndërkombëtare – në këtë rast, takimi i rangut të lartë i G8 në Akuila, më 6-8 korrikun e ardhshëm – na kujtojnë se duhet të shqetësohemi edhe për vendet e varfëra. Mendoj se sivjet, në sa bota po jeton një situatë të rëndë ekonomiko-financiare, kjo porosi është vërtetë e nevojshme. Kriza, që ka prekur edhe Italinë, nuk mund të përfundojë, në se nuk mendohet për rrugëzgjidhje globale, të cilat përfshijnë dhe vendet e varfëra. T’i përjashtosh, do të thotë të mos gjesh asnjë rrugëdalje.

Pyetje: - Në Meshën e Rrëshajëve Papa nënvizoi se ashtu si ekziston ndotja ekologjike, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit. Nuk mund të ketë ekonomi, pa etikë, na kujton Papa…

Përgjigje: - Etika vjen para së gjithash. Vlerat duhet të jenë në themel, duhet t’i orientojnë e t’i udhëheqin të gjitha veprimtaritë, në të gjitha fushat e jetës politike e shoqërore. Ekonomia e financa, që nuk frymëzohen e nuk orientohen nga e mira e përbashkët, e prej këndej, nga vlerat etike, kanë si rezultat situata, që po i shohim të gjithë në vendet tona e që, për fat të keq, po i jetojnë sidomos popullsitë e varfëra në Jug të botës. Të fitosh sa më shumë për vete, edhe duke shkelur e duke dhunuar rëndë të drejtat e tjetrit, është bazë që çon drejt sistemeve të sëmura. Gjon Pali II i quante ‘struktura të mëkatit’. Mendoj, prandaj, se të vësh etikën, sot, në bazë të rrugëzgjdhjeve personale e kolektive, është domosdoshmëri urgjente, ashtu si na e kujton me të drejtë edhe Kisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.