2009-06-01 13:02:51

Papa në Mbretëreshën Qiellore: Kisha është korp i gjallë, që merr jetë nga Shpirti Hyjnor.


(01.06.2009 RV)RealAudioMP3 Solemnitet në Kishë: mbarë bota e krishterë rijetoi dje atmosferën e Rrëshajëve. Benedikti XVI kryesoi Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit për të kremtuar zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë e Apostujt, mbledhur në Çenakull. Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve: pagëzimi në Shpirtin Shenjt e ndikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me forcë Ungjillin mbarë popujve. Me Rrëshajët përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri e lind Kisha. Në homelinë e Meshës, Papa u ndalua kryesisht tek figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt: figura e stuhisë dhe e zjarrit. Duke folur për stuhinë, që pastron ajrin, Ati i Shenjtë theksoi:
“Ç’ është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt për jetën shpirtërore; e ashtu si ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin e qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore”.
Papa u ndalua, më pas, tek zjarri, figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve:
Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq”.
Më pas, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI nënvizoi se Shpirti Shenjt, që zbriti mbi Kishën në fasha, e bëri atë misionare dhe e nisi t’u kumtonte mbarë popujve fitoren e dashurisë hyjnore mbi mëkatin.

Shpirti Shenjt është shpirti i Kishës. Ç’do të ishte Kisha pa të? – pyeti Papa:
“Do të ishte sigurisht një lëvizje e madhe historike, një institucion i ndërlikuar e i fuqishëm shoqëror, ndoshta një lloj agjensie humanitare: e në të vërtetë, kështu e mbajnë ata, që nuk e shikojnë me syrin e fesë. Në realitet, në natyrën e saj të vërtetë e edhe në praninë e saj të mirëfilltë historike, Kisha brumoset e udhëhiqet gjithnjë nga Shpirti i Zotit të vet. Është një trup i gjallë, që merr jetë pikërisht nga Shpirti i padukshëm hyjnor”.
Duke kujtuar se sivjet Rrëshajët kremtoheshin në ditën e fundit të majit, në të cilën zakonisht kremtohet festa e Pasisë së Zojës, Papa shpjegoi se Maria e re është ikonë mahnitëse e Kishës, me rininë e saj të përhershme, që buron nga Shpirti Shenjt, e Kishës, misionare e Fjalës së mishëruar.
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, mendimi i Papës shkoi përsëri në Abruco, ku një numër i madh të rinjsh vijojnë të mblidhen rreth Kryqit të Ditëve Botërore të Rinisë, që po shtegton në viset tyre të kthyera në gërmadhë, i mbartur nga një grup vullnetarësh:
“Në bashkim me të rinjtë e ktyre trojeve, të dëmtuara rëndë nga tërmeti, i lutemi Krishtit të vdekur e të ngjallur, të ndikojë mbi ta Shpirtin e tij të ngushëllmit e të shpresës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.