2009-05-31 17:29:33

Kriza: Papa shqetësohet për të varfërit, e kërkon të mos ndërpriten ndihmat.


(31.05.2009 RV)RealAudioMP3 Thirrje e re e Benediktit XVI në favor të viktimave të krizës ekonomike e financiare.
Kjo krizë – nënvizoi me shqetësim të madh Benedikti XVI të premten e kaluar, duke pritur tetë ambasadorë të rinj për paraqitjen e Letrave kredenciale, ndërmjet të cilëve, edhe ai i Indisë, i Jugut të Afrikës e i Norvegjisë - mund të kthehet në katastrofë njerëzore për banorët e shumë vendeve me ekonomi të dobët.
Të parët që u dëmtuan prej saj, janë njerëzit më të ligshtë, por nuk duhet harruar se kjo krizë po vijon t’i varfërojë edhe ata që jetonin në mënyrë dinjitoze. Amullia – vijoi me keqardhje Ati i Shenjtë - mund të ketë pasoja të pandreqshme dhe të vërë në lojë vetë jetën e shumë njerëzve. E të parët që kërcënohen janë fëmijët, të cilët duhet edhe të mbrohen të parët. Nga ana tjetër – shpjegoi Benedikti XVI - dëshpërimi që shkakton kriza ekonomike, i shtyn disa njerëz të kërkojnë rrugëzgjidhje të dhunshme, për të mbijetuar. E kjo nuk mund të mos bëhet burim për lindjen e konflikteve të brendshme, që rrezikojnë t’i destabilizojnë shoqëritë, edhe kështu, tejet të ligështuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.