2009-05-31 17:23:00

Benedikti XVI në solemnitetin e Rrëshajëve: Shpirti Shenjt e dëbon frikën e na bën ta ndjejmë veten në dorën e Gjithëpushtetit të dashurisë.


(31.05.2009 RV)RealAudioMP3 Atmosferë solemniteti në Kishë: mbarë bota e krishterë rijetoi atmosferën e Rrëshajëve. Benedikti XVI kryesoi sot paradite Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit për të kremtuar zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë e Apostujt, mbledhur në Çenakull. Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve: pagëzimi në Shpirtin Shenjt e ndikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me forcë Ungjillin mbarë popujve. Me Rrëshajët përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri e lind Kisha. Në homelinë e Meshës, Papa u ndalua kryesisht tek figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt.

Duke kujtuar rrëfimin mbi Rrëshajët sipas Veprave e Apostujve, Benedikti XVI shpjegoi se Shpirti Shenjt paraqitet me figurën e stuhisë e të zjarrit. Stuhia përshkruhet si erë e fortë. Kjo metaforë – vërejti Ati i Shenjtë – na bën të mendojmë për ajrin, që e dallon planetin tonë nga të tjerët e falë të cilit jetojmë. Ajri e Shpirti Shenjt – shtoi Papa - janë të dy të domosdoshëm, pa ta s’mund të ketë jetë:
“Ç’ është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt për jetën shpirtërore; e ashtu si ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin e qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore”.
Pas paralelizmit ndërmjet ajrit e Shpirtit Shenjt, Papa përdori edhe një similitudë tjetër: “Siç përpiqemi t’i spastrojmë helmet e ajrit – e prandaj impenjimi ekologjik sot është një detyrë e dorës së parë – ashtu duhet të bëjmë me gjithçka që e prish Shpirtin”. Metafora e erës së rrëmbyer të Rrëshajëve – shtoi Benedikti XVI – na bën të mendojmë sa rëndësi ka të thithësh ajër të pastër: si me mushkëri, ajrin fizik, ashtu me zemër, ajrin shpirtëror, ajrin e shëndetsheëm, që është dashuria:
Të duket, veç, se me shumë prodhime që ndotin mendjen e zemrën, të cilat qarkullojnë në shoqëritë tona - për shembull figura që përpiqen t’i bëjnë sa më tërheqëse kënaqësinë, dhunën ose përbuzjen për burrin e gruan - nuk është aspak e vështirë për t’u mësuar. Thuhet se edhe kjo është liri, pa menduar fare se gjithë kjo ia ndot, ia helmon shpirtin njeriut, sidomos breznive të reja e, së fundi, kushtëzon edhe vetë lirinë”.
Papa u ndalua, më pas, tek zjarri, figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve:
Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq”.
Zoti dëshiron të vijojë t’ia dhurojë këtë zjarr të gjitha breznive njerëzore e, me që është shpirt, ‘fryn ku dëshiron’. Rruga që zgjodhi Hyji për ta lëshuar zjarrin mbi tokë – shpjegoi Papa - është Jezusi, Biri i tij i vetëm, që u mishërua, vdiq e u ngjall. Po njeriu i sotëm duket se dëshiron ta zërë vetë vendin e Zotit. Dëshiron ta ndryshojë botën, duke e përjashtuar Krijuesin e gjithësisë, duke e lënë mënjanë, madje duke mos e pranuar fare:
Njeriu nuk do të jetë më shembëlltyrë e Hyjit, por e vetvetes; deklaron se është i pavarurur, i lirë, i pjekur. Natyrisht kjo sjellje, që zbulon një marrëdhënie të pavërtetë me Hyjin, është pasojë e figurës së rreme që ka krijuar për vetveten, ashtu si djali plëngprishës i shembëlltyrës ungjillore, që beson se do të realizohet, duke u larguar nga shtëpia e të atit”.
Ky largim nuk është thjeshtë rravgim shpirtëror, por edhe rrezik për mbarë njerëzimin:
“Në duart e një njeriu të tillë, ‘zjarri’ e fuqia e tij e pamasë, bëhen tejet të rrezikshme: mund të kthehen kundër jetës e kundër vetë njerëzimit, siç na e dëshmon, për fat të keq, e gjithë historia. Mjafton të kujtojmë qortimet e përhershme që vijnë nga Hiroshima e Nagasaki, ku energjia atomike, e përdorur për qëllime luftarake, mbolli vdekjen në përmasa të papara ndonjëherë”.
Të marrësh dhuratën e Shpirtit, do të thotë të kuptosh të jetuarit në bashkësi, në dritën e Shkrimit Shenjt. Në rrëfimin, që përshkruan Rrëshajët, nënvizohet se dishepujt ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. Ky vend – shpjegoi Papa – është Çenakulli, ku Krishti kaloi me apostujt e vet Darkën e Mbrame e ku iu duk atyre, i ngjallur:
Por duhet pasur parasysh se Veprat e Apostujve nuk ngulmojnë aq për të treguar vendin fizik, sesa gjendjen shpirtërore të dishepujve: të gjithë ishin të përqendruar prore së bashku në uratë (Vap 1,14). Pra kushti për zbritjen e Shpirtit Shenjt është harmonia ndërmjet dishepujve; e parakusht i harmonisë, është lutja”.
Ky parakusht – shtoi Papa – vlen edhe për Kishën e ditëve tona:
“Në se dëshirojmë që Rrëshajët të mos kthehen thjeshtë në rit ose në përkujtim, sado madhështor, por të jenë ngjarje aktuale shëlbimi, duhet ta presim dhuratën e Zotit duke e dëgjuar të përvujtur e të heshtur Fjalën e Tij. Që Rrëshajët të vijnë rishtas në kohën tonë – pa i hequr asgjë lirisë së Hyjit – duhet, ndoshta, që Kisha të shqetësohet më pak për veprimtari e t’i kushtohet më shumë lutjes”.
Shpirti Shenjt e mund frikën. Dishepujt – kujtoi Benedikti XVI – ishin strehuar në Çenakull pas arrestimit të Mësuesit të tyre e ishin strukur aty, nga frika se mund të pësonin të njëjtin fat. Por në Rrëshajë, kur Shpirti Shenjt pushoi mbi kokat e tyre, këta burra dolën jashtë pa pikë frike e nisën t’ua kumtojnë të gjithëve lajmin e mirë të Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur. Nuk patën frikë fare – nënvizoi Papa – sepse e ndjenin veten në duart e më të fortit:
“Po, të dashur vëllezër e motra, aty ku hyn Shpirti i Hyjit, frika zhduket; Shpirti Shenjt na bën të pranojmë e të ndjejmë se jemi në duart e Gjithëpushtetit të dashurisë: çfarëdo që të ndodhë, dashuria e tij e pakufishme nuk na braktis”.
Nuk mund të kesh frikë – përfundoi Papa – në se e lëshon plotësisht veten në duart e kësaj dashurie të pafundme:
E tregon këtë qëndresa e martirëve, guximi i dëshmitarëve të fesë, zelli i flaktë i misionarëve, çiltërsia e predikatarëve, shembulli i të gjithë shenjtorëve, disa nga të cilët ishin ende adoleshentë, ose fëmijë. E tregon vetë ekzistenca e Kishës e cila, pavarësisht nga kufizimet e fajet e njerëzve, vijon të kapërcejë oqeanin e historisë, e shtyrë nga fryma e Zotit, e gjallëruar nga zjarri i tij pastrues”.







All the contents on this site are copyrighted ©.