2009-05-30 16:50:06

Përfundimi i muajit të Zojës së Bekuar në Vatikan e në botë.


(30.05.2009 RV)Në Vatikan muaji kushtuar Zojës së Bekuar do të përfundojë edhe sivjet me procesionin tradicional që do të fillojë në orën 20. 00, nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve për të përshkuar rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, deri tek Shpella e Lurdës. Në përfundim Papa do t’u drejtojë fjalën besimtarëve dhe do t’u japë bekimin e tij apostolik.
Por, si lindi devocioni i muajit të Zojës? Përgjigjen na e jep rregulltari monfortan, Atë Stefano Fiores:

Përgjigje: - Devocioni i muajit të Zojës, muajit të majit, filloi në vitet 1700, përmes veprimtarisë së tre jezuitëve, që kryenin misionin e tyre në veri, në qendër e në jug të Italisë. Më i njohuri është atë Alfons Muxareli. Etërit jezuitë zgjodhën pikërisht muajin më të bukur të vitit, kur natyra është në kulmin e lulëzimit, që t’i ftonin të gjithë besimtarët për ta nderuar Nënën e Zotit, lulen më të bukur të njerëzimit.

Pyetje: - Ç’përfaqëson Maria për gratë e kohëve tona?

Përgjigje: - Gruaja e ditëve tona frymëzohet nga Maria, por sipas figurës biblike, e jo sipas disa klisheve tradicionale, që e paraqesin si grua pasive, që pëson pa bëzajtë. Pali VI në ‘Marialis Cultus”, e kundërshton këtë mënyrë paraqitjeje, duke i ftuar besimtarët të shfletojnë Ungjillin për ta njohur Marinë, grua aktive, që e kupton mirëfilli përgjegjësinë e vet, që merr vendime e ‘Madhëron Zotin’, sipas kritereve të dijes hyjnore e jo të dijes njerëzore.

Pyetje: - Rruzarja Shenjte nuk është praktikë që i përket së kaluarës, e aq më pak lutje mekanike – na kujton shpesh Papa; ç’vlerë ka sot kjo lutje mariane?

Përgjigje: - Rruzarja duhet konsideruar si mënyrë për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin Shenjt.
Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës.
Megjithatë Rruzarja lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit.
Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.
Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.
Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.
Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.
Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.