2009-05-29 17:58:55

Toka Shenjte: Java botërore për paqen.


(29.05.2009 RV)RealAudioMP3 Nga Australia në Brazil, duke kaluar nëpër Evropë. Kishat e krishtera edhe sivjet janë impenjuar me fushata informacioni, veprimtarish sensibilizuese mbi liderët politikë e me çaste lutjesh, kushtuar ‘Javës botërore për paqen në Palestinë e në Izrael” e cila, me nismën e Këshillit Ekumenik të Kishave, do të kremtohet më 4 deri më 10 qershorin e ardhshëm. “Të lutemi, të informojmë, të kërkojmë”: janë tri pikat kyçe të mobilizimit botëror, me qëllim që t’i jepet fund një konflikti i cili – lexohet në një Komunikatë, të ritransmetuar nga Agjensia Sir - zgjat prej 60 vjetësh, duke penguar vizionin paqësor të dy popujve, të cilët jetojnë në të njëjtat troje”.
Të shumta nismat e parashikuara në program për vende të ndryshme: në Angli, Kishat do të vizitojnë, në West Midlands, një sipërmarrje izraelite, që prodhon motorë për avionët pa pilot (drones), të përdorur në luftën e Gazës.
Kishat e Francës kanë vendosur të merren me problemin e Lindjes së Mesme, duke vënë në qendër të vëmendjes kandidatët e zgjedhjeve evropiane të 7 qershorit.
Parlamentarët australianë morën nga Kishat një raport mbi situatën humanitare në Gazë.
Të dielën, më 7 qershor, në të gjitha Kishat e botës do të lexohet me zë të lartë një lutje e shkruar për këtë rast nga prijësit e Kishave të Jeruzalemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.