2009-05-29 17:58:14

Papa ambasadorëve të 8 vendeve: solidaritet e maturi, që kriza ekonomike të mos përfundojë në katastrofë njerëzore.


(29.05.2009 RV)RealAudioMP3 Për ta kapërcyer krizën ekonomike duhen marrë masa të përbashkëta, me frymë solidariteti: këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ambasadorëve të Mongolisë, Indisë, Beninit, Zelandës së Re, Jugut të Afrikës, Burkina Fazos, Namibisë e Norvegjisë pranë Selisë Shenjte, të cilët i priti për paraqitjen e Letrave kredenciale. Në përshëndetjen e rastit, Papa foli gjatë për krizën ekonomike e, sidomos, për rrugët në të cilat duhet ecur, për ta përballuar.

Varfëria është kërcënim i rrezikshëm për paqen, prandaj duhen shumëfishuar përpjekjet e përbashkëta për ta kapërcyer krizën ekonomike: për këtë e nxiti Papa bashkësinë ndërkombëtare, përmes fjalimit drejtuar tetë ambasadorëve të rinj, të cilët i priti sot në Vatikan për paraqitjen e Letrave kredenciale. Benedikti XVI pohoi se kriza e sotme ekonomike kërkon nga të gjithë vetëdijen e domosdoshmërisë së impenjimit për sigurimin e paqes së vërtetë, pa të cilën nuk mund të ndërtohet një botë më e drejtë e më e begatë për çdo njeri. Në të vërtetë – vërejti Papa – padrejtësitë shkaktojnë përçarje ndërmjet popujve, duke i përjashtuar disa prej tyre nga zhvillimi i përgjithshëm e duke rrezikuar, kështu, vetë paqen:
“La paix ne peut se construire qu’en cherchant…”
Paqja – vijoi Papa – nuk mund të ndërtohet, në se nuk impenjohemi me guxim në zhdukjen e pabarazive të krijuara nga sistemet e padrejta, për t’u siguruar të gjithëve nivelin, që krijon kushte për një jetesë të denjë. Këto pabarazi janë bërë edhe më të dëmshme për shkak të krizës financiare dhe ekonomike - tha Ati i Shenjtë – e në vijim theksoi disa fenomene vërtetë shqetësuese, që lidhen me krizën. Foli për shkurtimin e investimeve të huaja, rënien e ndjeshme të kërkesave për lëndë të para, pakësimin e ndihmave ndërkombëtare e të kursimeve të emigrantëve, në mbështetje të familjarëve të tyre.
“Cette crise peut se transformer en catastrophe…” 
Kjo krizë – nënvizoi me shqetësim të madh Benedikti XVI - mund të kthehet në katastrofë njerëzore për banorët e shumë vendeve me ekonomi të dobët. Të parët që u dëmtuan prej saj, janë njerëzit më të ligshtë, por nuk duhet harruar se kjo krizë po vijon t’i varfërojë edhe ata që jetonin në mënyrë dinjitoze. Amullia – vijoi me keqardhje Ati i Shenjtë - mund të ketë pasoja të pandreqshme dhe të vërë në lojë vetë jetën e shumë njerëzve. E të parët që kërcënohen janë fëmijët, të cilët duhet edhe të mbrohen të parët. Nga ana tjetër – shpjegoi Benedikti XVI - dëshpërimi që shkakton kriza ekonomike, i shtyn disa njerëz të kërkojnë rrugëzgjidhje të dhunshme, për të mbijetuar. E kjo nuk mund të mos bëhet burim për lindjen e konflikteve të brendshme, që rrezikojnë t’i destabilizojnë shoqëritë, edhe kështu të ligështa. Duke u nisur prej këndej, Papa lavdëroi ato vende të cilat, pavarësisht nga vështirësitë, morën vendim të mos i pakësojnë ndihmat në dobi të popullsive të dëmtuara rëndë nga kriza. Shembull ky – nënvizoi Benedikti XVI – që meriton të ndiqet edhe nga vendet e tjera të zhvilluara, duke u krijuar, kështu, vendeve të varfëra, mundësinë për të mbrojtur ekonomitë e tyre e për të mbështetur pjesën më të ligshtë të popullatës:
“J’appelle à un supplément de fraternité et de solidarité...” 
Bëj thirrje për më shumë vëllazërim e solidaritet – tha Papa – si dhe për bujari globale, të jetuar vërtetësisht. Kjo ndarje e të mirave materiale – shtoi – kërkon nga vendet e zhvilluara të rifitojnë vetëdijen e masës e të thjeshtësisë në ekonomi e në stilin e jetesës.
Papa foli, më pas, edhe për rolin e feve në favor të paqes, posaçërisht sot, kur këto fe sulmohen e diskreditohen. E kjo – kujtoi Papa- edhe pse vitet e fundit disa nga format e reja të dhunës u mbështeten, për fat të keq, mbi emrin e Zotit, për të përligjur veprimet e tyre. ‘Mos e merr kurrë emrin e Tënzot nëpër gojë kot!” - kujtoi Papa e shtoi: “Liderët fetarë duhet t’i ndihmojnë besimtarët të ecin në rrugën e shenjtërisë e t’i interpretojnë fjalët hyjnore ashtu si janë në të vërtetë:
“Il convient donc de favoriser l’émergence d’un monde où religions…”
Është e nevojshme – pohoi Benedikti XVI – të jepet ndihmesa për ndërtimin e një bote në të cilën fetë e shoqëritë ia hapin zemrën njëra-tjetrës. E është e nevojshme edhe të krijohet një hapësirë, e cila e bën dialogun pozitiv e të nevojshëm. Së fundi, Benedikti XVI i siguroi diplomatët dhe vendet që përfaqësojnë, se Kisha katolike dëshiron, përmes kontributit të saj, të japë një vizion pozitiv për ardhmërinë e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.