2009-05-29 17:58:40

Konferencë shtypi e kardinalit Banjasko, në përfundim të mbledhjes së Kii-e


(29.05.2009 RV)RealAudioMP3 Kardinali Anxhelo Banjasko mbajti sot në Vatikan konferencën përfundimtare të shtypit për Asamblenë e 59-të të përgjithshme të Konferencës së ipeshkvijve italianë. Ndërmjet temave që u prekën sot, ishte edhe impenjimi i kishave të Bashkimit Evropian, organizimi i javës së ardhshme shoqërore të katolikëve italianë dhe miratimi i kalendarit të veprimtarive të Konferencës ipeshkvnore për dyvjeçarin 2009-2010.
Asambleja e Kii-e është një nga takimet më të dëshiruara të kësaj Konference: këtë theksoi kardinali Banjasko në takimin e sotëm me shtypin. E në vijim kujtoi se tema kryesore, që u prek këto ditë, në të cilat pjesëmarrja qe vërtetë e madhe, ishte zgjedhja e orientimeve baritore për dhjetëvjeçarin e ardhshëm e cila – siç theksoi kryetari i Konferencës ipeshkvnore – u përqendrua krysisht tek urgjenca edukative. Horizonti, pra, mbetet ai i ungjillëzimit:
“Na u duk se detyra edukative ishte një shprehje, një përmasë, posaçërisht urgjente përballë nesh!”.
Prej këndej kardinali Banjasko nënvizoi rëndësinë e temës së etikës, që nuk është e re e që u përket të gjithë njerëzve.
Ashtu si u përket të gjithëve edhe Doktrina shoqërore e Kishës – shpjegoi kryetari i Kii-e - duke theksuar, në vijim, mendimin e shumë analistëve e specialistëve, në nivel botëror, sipas të cilëve ka presione të forta e lobe ekonomiko-financiare, që i kundërvihen si Doktrinës shoqërore të Kishës, ashtu edhe magjisterit të Papës. Megjithatë Kisha vijon ta propozojë magjisterin e vet e konceptin e vet mbi njeriun, edhe atëherë kur ky propozim u kundërvihet interesave egoiste – shpjegoi Kardinali – sepse:
“… është funksioni i Kishës, detyra e Kishës ta kumtojë Ungjillin në tërësinë e tij, me të gjithë vlefshmërinë e tij, si në planin doktrinor – të së vërtetës së fesë - ashtu edhe në planin e sjelljeve – të pasojave morale”.
Në përfundim kardinali Banjasko ceku edhe votimet e afërme evropiane, duke shpjeguar: “Na nevojitet më shumë Evropë. Shpresojmë që Bashkimi Evropian të ketë një shpirt të vetëm, të jetë shtëpia e Popujve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.